“Është koha për veprim”, slogani i fushatës elektorale të LSI-së
“Është koha për veprim”. Ky do të jetë slogani i Lëvizjes Socialiste për Integrim në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Ky slogan është deklaruar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, gjatë takimit që ai ka zhvilluar në qytetin e Fierit, takim në të cilin 320 anëtarë të rinj i janë bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta, pasi falënderoi 320 anëtarët e rinj që i janë bashkëngjitur LSI-së, tha se tashmë ka ardhur “koha për veprim”, për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për t’i nxjerrë shqiptarët nga varfëria dhe papunësia. “Është koha për veprim. Ky është apeli që i bashkon gjithnjë dhe më shumë shqiptarët rreth LSI-së dhe koalicionit tonë dhe që bashkon me ne dhe gjeneratën më të re. Vendi ka nevojë për punësim, vendi ka nevojë për një drejtim me ambicie të mëdha, por edhe për ata që kanë dhënë prova, që mund ta fusin Shqipërinë në rrugën e progresit. Sepse të rinjtë kanë nevojë për më tepër mundësi nga sa ofrohen sot për të ardhmen e tyre. Sepse shqiptarët kërcënohen në çështjet me jetike, deri tek ekzistenca e tyre, pra duke vënë në rrezik edhe bukën e gojës. Është koha për veprim në mënyrë që ndryshimi të jetë i prekshëm, në mënyrë që ndryshimi të jetë vërtetë, ai që do t’i bëjë shqiptarët jo vetëm të dëgjojnë fjalën ndryshim më shumë, por të jetojnë shumë më mirë sesa dje”, - tha kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjithashtu kreu i LSI-së foli edhe për diversionet e kryeministrit Berisha, të cilat, sipas tij, po përpiqen të përçajnë të majtën. Meta tha se LSI-ja nuk ka ndryshuar asnjë element esencial në politikat dhe qëndrimet e saj për të ardhmen. “Sepse LSI-ja gjithmonë e ka bërë të qartë, pa pasur frikë dhe pa pasur komplekse, se është një forcë e majtë, një forcë progresiste. LSI-ja nuk është e majtë për t’i ndarë shqiptarët në të majtë dhe në të djathtë, por LSI-ja është e majtë se ka politika të qarta sociale dhe kohezion social, sikurse dhe integrim social që kanë nevojë shqiptarët”, - tha ai.
26 Mars 2009