E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me ditarin e ambasadorit Stevens

Një trupë televizive e “CNN” dërguar në Bengazi ka arritur të marrë në dorë ditarin e Kris Stivëns, ambasadorit amerikan të vrarë në protestat e dhunshme në vend. Ditari ndodhej i braktisur në dyshemenë e konsullatës së shkatërruar nga zjarri. Reporterët kanë lexuar menjëherë përmbajtjen dhe kanë zbuluar të dhëna delikate, të cilat u përdorën menjëherë po pa cituar burimin. Anderson Kuper, gazetari i famshëm i “CNN”, rrëfen se Stivëns ishte i shqetësuar për praninë e terroristëve dhe mendonte se kishte përfunduar në listën e zezë të Al Kaedës. Sipas rindërtimit të ngjarjeve të botuara në “Hafington Post” dhe në “Uoll Strit Xhornal”, pas gjetjes së ditarit, “CNN” ka kontaktuar me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe familjen e ambasadorit Stivëns për të informuar për zbulimin. Të afërmit e Stivëns i kërkojnë rrjetit televiziv që të mos publikojë asgjë që ishte shkruar atje para se të lexohej nga familja. Sipas familjarëve ai është një material privat dhe pse ka të bëjë me punën. E ndërsa familajrët prisnin që tu dorëzohej ditari, Anderson deklaron se ambasadori frikësohej nga lista e Al Kaedës, duke u bazuar në burime që sipas tij qëndrojnë pranë viktimës. Dhe menjëherë lind pyetja se nëse ekzistonte kjo frikë, përse Stivëns nuk kishte marrë një mbrojtje shtesë. Nëse familja e Stivëns ka akauzuar “CNN” se ka shkelur marrëveshjen, Departamenti Amerikan i Shtetit e akuzon për heqje të provave nga skena e krimit. Por nga ana e tij, rrjeti televiziv këmbëngul se ka informuar familjarët dhe departamentin amerikan të shtetit dhe se informacionet e publikuara janë marrë nga burime të afërta me viktimën. Për më tepër CNN hedh dyshime për sigurinë e ambasadorit amerikan në Libi, dyshime të cilave do u japë përgjigje hetimi i urdhëruar nga sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton. Por “CNN”pyet edhe për nivelin e  kërcënimeve ndaj Stivëns apo nëse ky i fundit kishte informuar për situatën eprorët e tij në Uashington. Dhe pyetja e fundit ka të bëjë me faktin nëse masat e sigurisë kanë qenë të mjaftueshme, duke parë dhe rezultatin tragjik të ngjarjes.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›