E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me ligjin “Për Policinë” për uniformat e efektivëve



TIRANË - Një polici e tërë, që nga drejtori i Përgjithshëm i saj dhe deri te punonjësi i fundit akoma vishen, mbathen dhe mbajnë uniforma, këpucë, shenja, grada dhe elemente të ndryshme të miratuara që nga viti 2004 dhe para këtij viti, por të shfuqizuara totalisht me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21 janar 2009. Fakti bëhet i ditur nga ish-drejtuesi i Policisë dhe studiuesi Sokrat Boçi. “Ky është një nga problemet e mëdha që lidhet me personat që drejtojnë strukturat mbështetëse e logjistike dhe specialiste të fushës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që prodhuan kaq shumë skandale, por që është e vështirë për ta rregulluar”, - thotë Boçi. Sipas tij, “bashkëfajtorët, që janë dhe bashkëpërgjegjësit e këtij kaosi të bërë me veshjen e uniformave blu, janë prezent në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit”.
Uniformat
Policia shqiptare jo se nuk ka pasur uniformën e saj, por në zbatim të nenit 35 (Uniforma dhe Shenjat e Policisë) të Ligjit Nr. 8553, datë 25 nëntor 1999, “Për Policinë e Shtetit”, nga një proces 3-vjeçar, duke ruajtur fizionominë dhe traditën dhe për të ardhur në uniformën dhe në shenjat e Policisë së Shtetit të vitit 2004, u përmirësua dhe u kompletua me shenja e simbole etj., uniforma e vitit 1998, e cila ishte miratuar me VKM Nr. 332, datë 02 qershor 1998, thotë për “Albania”-n Boçi. Sipas tij, kështu do të ndodhte natyrshëm, pasi Policia shqiptare nuk do të ishte më pjesë e Forcave të Armatosura, por pjesë e administratës publike, një polici qytetare, komunitare. Policia, me ligj, për herë të parë do të kishte simbolet e veta (flamurin dhe stemën), gradat në formë dhe në modele të ndryshme nga FA e strukturat e tjera të shtetit, që trajtohen me uniformë. Po kështu, uniforma do të kompletohej me stemat e krahut sipas shërbimeve të policisë dhe shenjat e tjera. “Uniforma është motori që më vë në lëvizje, më krijon një gjendje të këndshme”. Ky përjetim kishte nenin e vet me nr. 35, “Uniformat dhe Shenjat e Policisë”, të sanksionuara në Ligjin Nr. 8553, datë 25 nëntor 1999, për “Policinë e Shtetit”, në të cilin përcaktohej se “Punonjësi i Policisë së Shtetit i kryen detyrat dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike me uniformën dhe shenjat e përcaktuara nga Këshilli Ministrave”. Uniformat dhe shenjat dalluese të policisë përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij. Mbi këtë bazë, Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 236, datë 23 prill 2004, vendosi miratimin e uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit. Dhe qëllimi i miratimit të kësaj uniforme tregon paraqitjen e jashtme të uniformës, rëndësinë e shenjave dalluese identifikuese të kompletimit të saj (“pa identitet s’ka personalitet” ).
Zhdukja e uniformës
Por, disa vite pas miratimit, u fshinë uniformat dhe shenjat e policisë nga Ligji i ri Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, “Për Policinë e Shtetit”. “Ligji i lartpërmendur, neni 69 i tij, nuk parashikon ‘Uniformën edhe shenjat e Policisë së Shtetit’, që të përcaktohen nga Këshilli Ministrave. Ose më saktë, ‘Policisë së Shtetit-Shqipëri’, me ligj i mohohet një e drejtë, i mohohet gjëja më e shenjtë, uniforma dhe shenjat e kompletimit të saj”, - thotë Boçi.

Rëndësia e uniformës
“Uniforma është bazë. Si në çdo vend të botës, edhe në institucionet e vendit tonë, si Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Garda e Republikës (Garda është strukturë e Ministrisë se Brendshme) etj., që trajtohen me uniformë, në vendimet përkatëse të qeverisë të miratimit të uniformave të tyre, fjala ‘uniformë’ është kryefjalë, ndërsa Ministria e Brendshme, uniformën e Policisë së Shtetit, të miratuar me VKM Nr. 79, datë 21 janar 2009, e shikon si dorë të tretë, të parëndësishme (e fsheh) dhe në këtë vendim nuk specifikon dhe nuk trajton teknikisht objektet e uniformës (dhe modeli i një ‘kopse’ si element identifikimi në Policinë e Shtetit, duhet të përshkruhet teknikisht)”, - thotë Boçi. Sipas tij, uniforma e Policisë së Shtetit është “kapitull”, është një thes i madh, i mbushur (me kapele, xhaketë, pantallona), po kështu kostume doku blu, këmishë, pulovër, xhakovento, kravatë, rripa, këpucë etj. “Përse pikërisht vetëm për uniformat në këtë vendim nuk përcaktohen se kush janë objektet dhe modelet që përfaqësojnë këto uniforma, si dhe përshkrimin teknik të tyre?” - pyet ish-oficeri i lartë i Policisë së Shtetit, Sokrat Boçi. “Por, kur një vendim qeverie nuk ka të përcaktuar në mënyrë të detajuar emërtimin e objekteve e artikujve që përbëjnë uniformën e re të Policisë së Shtetit, atëherë ky vendim nuk shërben si bazë në nxjerrjen e një urdhri për miratimin e normave të furnizimit të punonjësve të policisë me uniformë dhe shenja të ndryshme, këpucë etj., dhe afateve të përdorimit të tyre”, - thotë ai. Gjithsesi, uniforma e re dhe shenjat e Policisë së Shtetit janë të paligjshme, neni 69 i Ligjit Nr. 9749, datë 4 prill 2007 “Për Policinë e Shtetit”, nuk parashikon që uniforma dhe shenjat e Policisë së Shtetit të përcaktohen dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Shkeljet e Këshillimit të Ministrave
Sokrat Boçi deklaron se, “brenda harkut kohor të një viti (janar, shkurt 2009-shkurt 2010), skandalet qeveri-Ministri-Polici, veçse shkojnë në një linjë, por ato ruajnë dhe vazhdimësinë”. Në janar 2009, “në zbatim të Ligjit Nr. 9749, datë 04 qershor 2007 ‘Për Policinë e Shtetit’, nxjerrja e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 79, datë 21.01.2009 ‘Për miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit”, si bashkim nenesh, neni 5 ‘Simbolet e Policisë’, neni 38, ‘Paraqitja e Gradave’ dhe neni 69, ‘Detyrim për të respektuar uniformën’, i ka shërbyer fshehjes së uniformave të policisë”, - sipas Boçit.
Dihet se pas nismave administrative ligjore në mbështetje të neneve 121 e 124 të Ligjit Nr. 8485, datë 12 maj 1999, “Kodi i procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, në përgatitjen e një projektvendimi siç është rasti i nenit nr. 69 (detyrim për të respektuar uniformën), të Ligjit Nr. 9749, datë 4 qershor 2007, nuk parashikon që uniformat dhe shenjat e policisë përcaktohen dhe miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, para se të kalohet për miratim, duhej të merrej mendimi nga Drejtoria e Kodifikimit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë, nëse ky projekt-vendim është në harmoni me parashikimet e Kushtetutës dhe të ligjit të Policisë së Shtetit, thotë ai. “Mirëpo qeveria shqiptare, përmes miratimit antiligjor të uniformës dhe të shenjave të Policisë së Shtetit, nuk respekton institucionin e ligjit (Ministrinë e Drejtësisë). Ndërsa ministri i Brendshëm, si propozues të këtij projektvendimi, dhe ministri i Drejtësisë, që nënshkruan kodifikimin, si anëtarë të kabinetit qeveritar, marrin përsipër (shpërdorojnë detyrën) duke miratuar uniformën dhe shenjat e Policisë së Shtetit si të pabazuara në ligj, shkelin ligjin”, - deklaron ish-oficeri i Policisë. Ky vendim antiligjor dhe lë shteg për abuzim, ndryshe nga sa përcakton disa të dhëna teknike për stemat, gradat, shenjat e policisë, por me rezervat (me dyshimin) e të dhënave teknike të tjera si për formën, përmasat dhe llojin e materialit të ndërtimit të tyre, në pikën 2.3, “Uniformat” e Vendimit Nr. 79, datë 21 janar 2009, qeveria fsheh të dhënat teknike të Uniformës së Policisë së Shtetit. “Vendimi nuk përcakton se kush janë lëndët e para tekstile, struktura dhe ngjyrat e tyre, si ngjyra karakteristike të një policie shteti, që do të përdoren për prodhimin e këtyre uniformave. Ose më saktë, qeveria, shteti miraton pa ditur teknikisht se kush janë objektet e detajuara, modelet dhe karakteristikat e uniformës së re të policisë së vet, të uniformës së Policisë së Shtetit. Uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë, me pamjen e jashtme dhe dinjitoze të saj, prezantohet shteti”, - shprehet më tej Boçi.

Tenderët e dështuar të Policisë së Shtetit
Procedurat të prokurimit “Procedurë e hapur”, por që u anuluan përkatësisht:
Blerje “Këpucë për Policinë e Shtetit” me fondin limit në dispozicion 168 485 670 lekë pa TVSH, datë 23.07.2009 (Buletini 08 qershor 2009 I APP);
blerje “Uniformash dhe elemente përbërëse të tyre” për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me fondin limit 809 757 320 lekë pa TVSH, datë 29.07.2009 (Buletini 15 qershor 2009 I APP), që nuk mbërritën kurrë te punonjësit e Policisë së Shtetit.
Shteti i detyrohet çdo punonjësi policie (për 7800 punonjës) nga 1.5 milionë lekë të vjetër, të drejta personale (uniformë, elemente përbërëse të tyre dhe këpucë).

Nesër do të lexoni:
Uniformë italiane për Policinë shqiptare

19 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›