E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me pensionet, të implikuar ish-zyrtarë

Policia zbardh skemën e falsifikimit të dokumenteve për të përfituar pension pleqërie dhe të parakohshëm. Sekuestrohen 200 dosje të personave që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme

Laureta Rryçi
Skandal me dosjet e pensioneve. Hetim për të gjithë ata që kanë abuzuar me falsifikimin e dokumenteve. Burime nga Policia e Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se hetimi për abuzimin për përfitimin e pensioneve i ka dhënë rezultatet e para. Jo pak, por rreth 200 dosje janë sekuestruar për t’u hetuar më tej nga ana e prokurorisë. Të njëjtat burime shpjeguan se tashmë emrat e parë të atyre që kanë abuzuar kanë mbërritur në Prokurorinë e Tiranës. Në këtë skandal mësohet se janë të implikuar dhe ish-drejtues të lartë të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Mësohet se i njëjti hetim po kryhet nga të gjitha Drejtoritë e Policisë nëpër qytete.
Hetimi
Policia e Tiranës bëri të ditur se ka nisur një hetim të gjerë ndaj disa personave, mes tyre edhe ish-zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shoqërore, pasi dyshohen për "mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve" dhe "vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara". Sipas burimeve zyrtare, në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore rreth 200 dosje të shtetasve të ndryshëm, të cilët përfitonin në mënyrë të paligjshme pension të parakohshëm dhe pension pleqërie përmes dokumenteve të falsifikuara. Nisur nga kjo policia i ka kërkuar prokurorisë fillimin e procedimit penal për shtetasit: Petrit Stafa, 51 vjeç, Bilal Qoku, 45 vjeç, banues në Kërrabë, Xhavit Bekteshi, 58 vjeç, Lutfi Banaj, 47 vjeç, Ylli Lika, 42 vjeç, banues në Ibë, komuna Bërzhitë, Shefki Shkoza, 45 vjeç, banues në fshatin Surrel, Bajram Alimadhi, 45 vjeç, banues në fshatin Mjull Sauk, Maliq Luli, 50 vjeç, Shefki Troski, 58 vjeç, Skënder Varroti, 47 vjeç dhe Skënder Cicollari, 53 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore dyshohet se këta shtetas, të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pamerituar duke u paraqitur si ish-punonjës të Minierës së Kërrabës dhe kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare.
Zyrtarët
Hetimet paraprake implikojnë edhe zyrtarët në këto abuzime. Sipas burimeve, personat e mësipërm, për nxjerrjen e dokumenteve të falsifikuara për pension janë ndihmuar kundrejt shumave të parave prej 50 000 lekësh nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Më konkretisht, mendohet se janë të implikuar specialistë të kuadrit në atë kohë, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, specialistë të kuadrit pranë ish- Minierës së Kërrabës etj. Burimet zyrtare konfirmuan se policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, po punon në drejtim të dokumentimit ligjor të veprimtarisë kriminale të ish-zyrtarëve të mësipërm, të cilët dyshohen edhe për shumë raste të tjera të përfitimit të paligjshëm të pensioneve si ish-punonjës të Minierës Kërrabë dhe Ibë.

Ka nisur hetimi për:
Petrit Stafa, 51 vjeç
Bilal Qoku, 45 vjeç, banues në Kërrabë
Xhavit Bekteshi, 58 vjeç
Lutfi Banaj, 47 vjeç
Ylli Lika, 42 vjeç, banues në Ibë, komuna Berzhitë
Shefki Shkoza, 45 vjeç, banues në fshatin Surrel
Bajram Alimadhi, 45 vjeç, banues fshatin Mjull të Saukut
Maliq Luli, 50 vjeç
Shefki Troski, 58 vjeç
Skënder Varroti, 47 vjeç
Skënder Cicollari, 53 vjeç, banues në Tiranë

Procedura e rregullt për të përfituar pension pleqërie
Për të përfituar një pension pleqërie duhet të plotësohen dy kushte themelore: vjetërsia në punë dhe mosha. Neni 31 (kushtet e përfitimit) dhe neni 92 (zgjatja graduale e moshës dhe periudhës së sigurimit për pension) përcaktojnë periudhën e sigurimit dhe moshën që kërkohet për të përfituar një pension. Pensioni caktohet mbi bazë të kontributit të derdhur për vitet e punës që kërkohen dhe mbi bazë të këtij kontributi, apo të pagave llogaritet masa e pensionit mbështetur në nenin 59 të ligjit. Nëse personi e kërkon pensionin në një datë të mëvonshme nga plotësimi i kushteve, atëherë për çdo muaj që shtyhet data e daljes në pension merr një shtesë prej 0,34% mbi pensionin e plotë të pleqërisë.

Dokumentet që duhen për të përfituar një pension janë:

Certifikatë me fotografi;
certifikatë e gjendjes familjare;
libreza e punës;
vërtetim për periudhën e sigurimit;
vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore.
Dokumentet për pension pranohen në Agjencitë e Sigurimeve Shoqërore, që përfshijnë vendbanimin e kërkuesit ose vendin e fundit të punës së tij. Më pas ato përcillen në zyrën e pensioneve në Drejtori Rajonale ku përpunohen dhe më pas dërgohen në zyrat e postës ku bëhet pagesa për çdo muaj. Pensioni si rregull tërhiqet çdo muaj, në një datë të caktuar nga agjencia paguese, por mund ta lësh pa tërhequr jo më shumë se tre vjet. Në rast se pensionisti, për arsye shëndetësore, nuk mund të paraqitet vetë për ta tërhequr pensionin, ai mund të autorizojë me prokurë të rregullt te noteri një person që ta tërheqë pensionin në vend të tij. Përveç masës së pensionit, pensionisti përfiton edhe kompensime të ndryshme, siç janë: kompensime për persona në ngarkim, si për shembull fëmijë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën; bashkëshorti, prindërit, njerku e njerka që janë pa të ardhura, nipat dhe mbesat kur nuk i kanë prindërit, bashkëjetojnë me pensionistin dhe janë nën moshën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën. Përfitojnë 150 lekë kompensim të shpenzimeve nga rritja e çmimit të bukës; Përfitojnë kompensime nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse.

Kategoritë që përfitojnë pension të parakohshëm

Ligji ka përcaktuar se ata që përfitojnë pension të parakohshëm janë qytetarët që kanë kryer profesione të vështira si dhe ata që pësojnë aksidente gjatë punës. Kryesisht për ushtarakët, në skemën e sigurimit suplementar përcaktohet se një nga përfitimet e tyre është dhe pension i parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Këtë përfitim mund ta kenë minatorët apo dhe ish-ushtarakët që kanë punuar nipër ndërmarrje ushtarake. Duke qenë se përftimi në të tilla raste është më i lartë se në pensionin e zakonshëm, policia ka zbuluar se mjaft persona janë tunduar duke i falsifikuar dokumentet. Burime nga Policia shpjegojnë se sidomos në dosjet e minatorëve po konstatohen shumë abuzime ku persona me pa të drejtë kanë përfituar prej vitesh pension të parakohshëm.
Po kështu, ligji parashikon se në rast se një punëmarrës, që është i siguruar pëson aksident në punë, pra dëmtim të menjëhershëm, gjatë kryerjes së saj ose gjatë një procesi që ka lidhje me punën, që çon në humbjen e përkohshme ose të përhershme të aftësisë për punë ose edhe në vdekje përfiton: të drejtën e së ardhurës, pavarësisht nga vjetërsia në punë. Një person i siguruar, që vuan nga një aksident në punë ose sëmundje profesionale, do të marrë kompensim shtesë ose ndonjë kualifikim-rikualifikim të nevojshëm për të rikthyer aftësinë e humbur.
Me sëmundjet profesionale nënkuptohen të gjitha ato sëmundje që lidhen me profesionin që ushtron i siguruari dhe që shfaqen pas një periudhe të caktuar kohe në atë profesion. Këto sëmundje janë të përcaktuara në një listë, e cila është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.

5 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›