E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si erdhi Duka në krye të futbollit



Dash Frashëri

Armand Duka ishte një njeri i panjohur më parë në botën e futbollit, por me kandidimin e tij të parë ai arriti t’i imponohej Asamblesë Zgjedhore (2003) duke marrë shumicën e votave në raport me kandidatin tjetër, Mehdi Bushatin. Por si erdhi Duka në majën e futbollit shqiptar. Starova tregon: “Një nga përkrahësit që i kanë dhënë suport Dukës isha dhe unë, pavarësisht se Duka nuk kishte lidhje me futbollin. Përse? Nisur edhe nga fakti se ne kishim president Miço Papadhopullin (sot president nderi i FSHF-së), atëherë në pension, por me kontribute si sportist e teknik. Ne kërkuam që të kishim përkrahjen edhe të një njeriu që të bënte me biznesin”. Por në ngjitjen me “ashensor” të biznesmenit që kontrollon disa nga kompanitë më të mëdha në vend ndikoi edhe një faktor shumë domethënës. “Koincidencë ishte edhe fakti që vëllai i tij ishte ministër i Bujqësisë (Agron Duka) dhe prej tij ne përfituam tokën në Kamëz ku është ngritur Kompleksi Sportiv i FSHF-së. Në atë kohë erdhi në Shqipëri edhe Blater (president i FIFA-s) dhe Platini (zëvendëspresident i FIFA-s) dhe vendosëm që projekti “Goal” të zbatohej në qytetin “Studenti”, por një rektor nuk pyeti as për kryeministrin e asaj kohe, (Ilir) Meta, dhe as për kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. E kishte shteti për detyrim ta gjente tokën, ndërkohë që FIFA jepte vetëm paratë”. Starova ruan bindjen e tij të plotë për “llojin” e atij që duhet të drejtojë shoqatën më të madhe sportive në Shqipëri, që numëron plot 52 klube të tre kategorive të futbollit. “Në përgjithësi, të gjithë presidentët e klubeve janë biznesmenë, pasi dhe klubet mbahen duke paguar. Unë mbetem gjithmonë i idesë që presidentët e federatave të jenë biznesmenë, për të dhënë edhe kontribut nga bizneset e veta. Nuk më rezulton, që Duka të ketë dhënë nga financat e veta, përkundrazi. Të jesh numri “1”, kur nuk ke ardhur nga bota e futbollit, dhe nuk i jep gjë futbollit nuk më duket e drejtë”.
Kur Armand Duka mposhti Mehdi Bushatin, një emër i madh i futbollit shqiptar, por dhe një drejtues i dikurshëm i FSHF, tashmë në anëtar i Komiteti Ekzekutiv, të gjithë prisnin “revolucionin Duka”, për të ngritur edhe “klanin” e tij në federatë. Emra të rinj u punësuan në selinë e futbollit shqiptar, por të tjerë kishin filluar të ndjenin “ftohtë” nga prania e bosit të ri dhe impulsiv të FSHF-së. “Si u ftohën marrëdhëniet e tua me Dukën? Qëndrimi i tij u duk që në ditët e para. Unë duhet të isha krahu i djathtë i presidentit. Ai më eliminoi menjëherë, duke më çuar në një kategori tjetër, e duke vënë në krahun e tij dy zëvendëspresidentë, një majtas dhe një djathtas. Natyrshëm erdhi edhe ftohja jonë, pasi më zhveshi nga detyrat, duke mos pasur më asnjë përgjegjësi. S’mund të kënaqesha me këtë gjendje”, - thotë Starova. Por, si arriti Duka të dominojë të gjithë strukturën e federatës dhe në mënyrë kaq të shpejtë? Starova është i sinqertë: “Shumë thjesht. Ngarkoi pesë veta për të rregulluar statutin, duke i hequr të drejtat sekretarit, për t’ia dhënë Komitetit Ekzekutiv, e më pas për t’i transferuar vetes së vet, duke i lënë anëtarët të ngrenë vetëm dorën”. Në fakt, presidenti i FSHF-së është pozicion honorifik në federatë, dhe veprimtarinë e përditshme gjithëvjetor e drejton aparati administrativ. Por Duka (nuk merr as rrogë) arrin të kontrollojë me dorë të hekurt (“sht!, po vjen ai”, dëgjohet në korridoret e selisë në rrugën “Labinoti”. “Të gjitha detyrat i ka marrë ai dhe, për më tepër është i mbrojtur nga statuti, duke ia atribuuar vetes dhe Komitetit Ekzekutiv. Duke qenë ekzekutues ata nuk ka kush t’i kontrollojë”, - përfundon Starova.

Fituesi i madh

Armand Duka ia ka dalë dy herë të fitojë direkt në Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare. Në vitin 2002, ai mposhti kandidaturën e Mehdi Bushatit, ndërsa në vitin 2006 ai rivalizoi me dy kandidatë: menaxherin Edmond Haxhiaj dhe ish-anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Salvador Kaçaj. Gjatë punimeve të Asamblesë në hotel “Tirana International” u fol edhe për një vendosjen e një bombe, por alarmi rezultoi fals. Fitorja e dytë e Dukës rriti dukshëm influencën e tij, duke i dhënë edhe një përmasë tjetër, atë të pathyeshmit.

Duelet e Dukës

Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në korrik të vitit 2005, një nga objektivat e saj, ishte dhe “pastrimi” i FSHF-së nga pinjolli i “Klani i Zemunit, Armand Duka.
LESKAJ- Ministri i parë që u konfliktua me Dukën ishte Bujar Leskaj. Deputetit të PD-së, si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve i besua pikërisht largimi i turpshëm i kreut të FSHF-së. MTKRS u shpreh disa herë gjatë muajve të vitit 2006 se nuk njihte zgjedhjet e zhvilluara, më 27 shkurt të atij viti dhe se do të kërkonte thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme. Tentativa u cilësua e papranueshme nga UEFA, që kishte dërguar edhe përfaqësuesit e saj për të monitoruar zgjedhjet. Çështja e ndryshimeve të statutit të FSHF-së kaloi në gjyq, ku shteti fitoi me FSHF-në. Leskaj, i shkarkuar më pas, u bë i famshëm për “gozhdën”, që nuk i ngul kurrë Dukës.
PANGO- Psikologu Ylli Pango e dinte fare mirë misionin e tij kur erdhi në krye të MTKRS-së. Me një tjetër diplomaci, më i heshtur, por dhe më dinak, “profesori”, priti rastin për të sulmuar kreun e FSHF-së. Statuti i pafirmosur ishte një rast i mirë për “Anti-Dukën” e ri. Një manovër spektakolare e ministrit, pas një bisede me drejtuesit e lartë të FIFA-s (Senes Erzik) e UEFA-s (Marsel Benz), risolli sërish në plan të parë konfliktin, për më tepër kur dhe kryeministri Berisha u prononcua në mënyrë agresive për shitje të flamurit kuqezi me rastin e dy humbjeve të kombëtares me Bjellorusinë (2-4) dhe Rumaninë (6-1). Shitje që nuk u provuan kurrë. Gjithsesi, ministri Pango duket në avantazh ndaj Dukës, pavarësisht se Shqipëria është pezulluar pa afat nga FIFA (14 mars 2008) dhe UEFA (28 mars 2006). Futja në lojë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi pritet të sjellë edhe zhvillime të reja.
KLUBET- Befasisht në kulmin e konfliktit, menjëherë pas pezullimit gjashtë klubet më të mëdha në Shqipëri, Partizani, Tirana, Vllaznia, Besa, Elbasani, Shkumbini, Kastriotit të mbështetur edhe nga 14 klube të kategorive inferiore, kërkuan thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për zgjidhjen e pezullimit nga FIFA e UEFA, por në katër pikat përfshihej si alternativë largimi i Dukës nga FSHF-ja. Pas deklaratës për bojkotim të kampionatit dhe shtyrjen (me marrëveshje) për 24 orë të javës së 24-t, Duka arriti të gjejë një kompromis me “rebelët”. Gjithsesi, platforma “Xhani” (presidenti i Partizanit), kërkon në dhjetë pikat e saj kufizimin deri në dy mandate të presidentit të FSHF-së. Kjo mund të jetë edhe masa më efikase për t’i dhënë fund “sundimit” 8-vjeçar të Armand Dukës.

Fundi i hidhur i sekretarëve

“Po ta vini re, pas largimit tim sekretarët nuk kanë lënë gjurmë, pasi nuk ekziston sekretariati”

Sulejman Starova ishte një sekretar i plotfuqishëm në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ai pasoi Eduard Dervishin, i pari sekretar i FSHF-së, i cili pati një konflikt të hapur me qeverinë e djathtë të Berishës. Sekretarja e Shtetit e Sportit, Marjeta Zaçe kërkoi shkarkimin e tij, por Dervishi(sot i punësuar në federatën spanjolle), një njohës i mirë i legjislacionit sportiv të asaj kohe dhe me marrëdhënie të shkëlqyera në “oborret” FIFA-s e UEFA-s arriti të sigurojë mbështetje të fuqishme ndërkombëtare. Kokëfortësia e shtetit solli edhe pezullimin e për herë të parë të Shqipërisë në vitin 1996, por që u ndroq me një lëvizje të zgjuar të kryeministrit të asaj kohe, Aleksandër Meksi. Pas Sulejman Starovës (i vetëlarguar), përkohësisht atributet e sekretarit i mori Arben Bici (një njeri i ardhur në kohën e Dukës), për t’u bërë më pas sekretar i Federatës. Pas Asamblesë së dytë së FSHF-së (2006), Duka përzgjodhi avokatin Roland Mici, si sekretar të ri. Mici, një jurist me ide dhe bonsens praktik, synoi reformimin e shpejtë të federatës, por më pas ra viktimë e një intrige të rëndomtë të korridoreve të ngushta të FSHF-së. Pas më shumë se një viti në detyrën e lartë, avokati i njohur dhe shumë i kursyer në deklarimet e tij dha dorëheqjen, e cila u miratua më pas nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Aktualisht, sekretari i përgjithsëm i federatës është sërish Arben Bici, në zyrën e të cilit ndodhet edhe një kompjuter...

Ju keni pasuar ish-sekretarin Eduard Dervishin, në kohën e të cilit Shqipëria u pezullua për herë të parë (1996). Çfarë ndikoi në largimin e tij?
Po është e vërtetë që unë pasuar atë në detyrën e sekretarit. Ai nuk u shkarkua. Dervishi gjeti nj vend pune në Spanjë dhe u largua. Në të vërtetë ai ishte një sekretar i zgjedhur nga ministria. Pas kësaj u bënë zgjedhjet normale dhe unë fitova si anëtar i Komitetit Ekzekutiv.
Largimi juaj nga Federata Shqiptare e Futbollit u interpretua nga opionini, të paktën gazetaresk, e motivuar edhe nga ndonjë presion i brëndshëm. Si është e vërteta?
Nuk është tashmë e rëndësishëm të pohoj se u largova për shkak të një presioni. Thjesht, u largova pasi m’u duk vetja i tepërt në detyrën e sekretarit të përgjithshëm. Nuk kryeja asnjë punë për ditë të tëra. Sinqerisht, e ndjeva se nuk kishte kuptim më të rija, pasi ishte vetëm një njeri që sundonte në federatë.
Shfrytëzova nga ana tjetër edhe propozimin e klubit të futbollit Tiranë për të qenë trajner i saj. Dhe vendosa t’i rikthehesha zanatit.
Nga detyra e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit është larguar së fundi edhe avokati i njohur Roland Mici, i cili qëndroi në detyrë pak më shumë se një vit. Përse ndodh kjo?
Po ta vini re, pas largimit tim (2004), sekretarët nuk kanë lënë gjurmë, pasi nuk ekziston sekretariati. Ka vetëm emrin Sekretar i Përgjithshëm, por asnjë lloj detyre. Në statut ai ka vetëm tre detyra, asgjë tjetër. Ka vetëm një person që drejton, i cili është presidenti.

Disiplina përjashton 6 lojtarë, rrahën arbitrin

“Dorë e ftohtë”. Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pezulloi për një periudhë 1-vjeçare gjashtë futbollistë të klubit të kategorisë së dytë, Iliria e Fushë-Krujës. Motivi është dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarit Shkëlqim Guçe gjatë takimit Iliria-Albeptrol (0-0), e ndërprerë pesë minuta përpara përfundimit të takimit, në incidentet e të cilit u përfshi edhe deputeti i Partisë Republikane, Hajrulla Paturi. “Për goditje me grusht të arbitrit në bazë të nenit 26/3, pezullohen 1 (një) vit nga të gjitha aktivitetet futbollistike dhe gjobiten me nga 200.000 lekë gjobë secili”, thuhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës. Lojtarët janë: Lucian Shkembi, Indrit Gjokeja, Afrim Deliu, Indrit Ujka, Adnand Balliu dhe Sokol Selaci. Bashkë me lojtarët u pezullua me tre ndeshje edhe zyrtari i klubit të futbollit “Iliria”, Ismet Mavriqi, i cili duhet të derdhë në “kasafortën” financiare të FSHF-së, edhe 50 mijë lekë. Edhe fusha e Fushë-Krujës u pezullua me katër ndeshje për mosorganizim të mirë dhe mosmarrje të masave të sigurisë, ndërkohë që klubi duhet të paguajë edhe 300 mijë lekë.
Vendimet e Disiplinorit janë të gjata dhe në të përfshihen edhe ndëshkimi i trajnerit të Bilisht Sport, Dion Kushe (1 ndeshje pezullim, 30 mijë lekë gjobë), por dhe humbje në tavolinë (2-0) të Delvinës. Gentian Çela i Lushnjës për kundërveprim ndaj anësorit u pezullua me gjashtë ndeshje dhe 100 mijë lekë.

4 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›