E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me pikturat, emërohet drejtori i ri i galerisë

Katër ditë pasi prokuroria e Korçës urdhëroi arrest shtëpie për drejtorin e Qendrës Kulturore, Vladimir Topi kryebashkiaku e ka zëvendësuar atë me kompozitorin, njëherësh shef i muzikës në këtë institucion, Grigor Çani. Sipas një urdhri që u firmos sot në bashkinë e Korçës, kryetari Niko Peleshi ka komanduar në krye të kësaj qendre, në varësi të së cilës ndodhet edhe galeria e arteve Guri Madhi në Korçë, Grigor Çanin, si personin i cili do të drejtojë përkohësisht këtë institucion.

Çani pritet të nisë punën si epror i qendrës kulturore ditën e martë, ndërsa po zëvëndëson Vladimir Topin, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie me akuzën “shpërdorim detyre”. Pezullimi i Vladimir Topit ka ardhur nga kryebashkiaku Niko Peleshi, pas masës arrest shtëpie që vendosi gjykata më datë 26 korrik. Ai u akuzua për shpërdorim detyre nga ana e gjykatës së Korçës, ndërsa ende nuk dihet fati i 55 pikturave, ku 27 prej tyre i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio.

Po ashtu, Gjykata ka lënë në arrest shtëpie për zhdukjen misterioze të pikturave nga fondi i galerisë së arteve figurative në Korçë edhe ish përgjegjësin e këtij fondi Sotiraq Xhega, po ashtu nën akzuën e shpërdorimit të detyrës gjatë periudhës kur ishte funksionar i këtij isntitucioni. Sipas burimeve nga prokuroria e rrethit ata u morën në pyetje si personat që kanë pasur akses në ambientet ku ishin magazinuar krijimtaritë artistike, qeramikat dhe punimet artizanale të rajonit juglindor. Ndërkohë vijojnë verifikimet për gjetjen e pikturave të zhdukura nga task forca dhe policia e Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›