E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa fitoi 1-0 ndaj Teutes ne Kavaje

Derbi i bregdetit të Shqipërisë së Mesme u vesh me ngjyrat verdhezi. Besa fitoi 1-0 në Kavajë ndaj Teutës së Durrësit me një gol të shënuar nga Berisha në minutën e 63-të, pikërisht në momentin më të nxehtë të përballjes së nisur në orën 19:00.
Ndeshja ishte në kuadër të javës së 4-ët të Superligës dhe pjesa e parë e saj nuk dha shumë emocione, duke lënë gjithçka për në pjesën e dytë. Skuadra vendase e trajnerit Ilir Daja këmbënguli më shumë, pa krijuar dot raste të pastër.
Pas pushimit ishin sërish kavajasit që provuan të godisnin portën e Halilajt. Më shumë iu afrua golit Xhihani, por gjuajtja e tij u grushtua nga portieri mik.
Ndërsa tifozët kavajas festonin në shkallët e stadiumit, afërsisht pas një ore lojë erdhën sekondat vendimtare. Më parë, Xhafaj shënoi për Teutën, në një aksion të ndërtuar nga e majta, por ky gol u anulua nga gjyqtari anësor për pozicion jashtë loje.
Pamjet me ngadalësim dhe me kamerë në një pozicion tjetër tregojnë se vendimi është tepër i dyshimtë.
Goditja për durrsakët u bë e plotë kur vetëm pak momente më pas, Besa goditi në kundërsulm duke shënuar një gol shumë të bukur me anë të numrit 10, Berisha.
Ky rezultoi edhe goli që vendosi fatet e derbit duke i dhënë verdhezinjve një fitore tepër të rëndësishme. Në vazhdim, Teuta mbeti me 10 lojtarë kur sulmuesi veteran Bledar Mancaku humbi gjakftohtësinë dhe shkaktoi një ndërhyrje tepër të rëndë pikërisht ndaj autorit të golit, Berishës. Gjyqtari Alla nxorri pa lëkundje kartonin e kuq.
Durrsakët e mbyllën ndeshjen në sulm, por pa vlerë, ndërsa mbeten në kuotën e 4 pikëve. Besa ka 7 pikë, po aq sa kryesuesit Skënderbeu, Tirana e Laçi, por që ende nuk kanë luajtur për javën e 4-ët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›