mendurite e Paris Sen Zhermen

Shifra e saktë është 257 milionë euro. Këto janë shpenzimet e bëra për blerje lojtarësh nga presidenti i Paris SG, Naser Al Helaifi, trashëgimtari i sheikut të Katarit, Tanim Bin Hamad Al Tani. Me 150 milionë të hedhura në treg vetëm verën që shkoi, ky 38-vjeçar shpreson të ndërtojë një klub të madh dhe një skuadër në gjendje për të fituar trofe.
Zllatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva ishin dy prej yjeve kryesorë që erdhën në Paris, por bashkë me ta edhe Ezekiel Laveci dhe futbollistë të tjerë, ndërsa ekipi ishte forcuar ndjeshëm që një vit më parë.
“Unë e di se milionat nuk përkthehen automatikisht në tituj, - shprehet Al Helaifi, - por, ne po ndërtojmë një klub që të ketë mundësi të fitojë sa më shpejt. Unë shpresoj që të gjejmë dhe të sjellim tek Paris SG “Lionel Mesin e ri”.
Sezonin e kaluar, PSG dështoi duke mos fituar dot titullin kampion, diçka që e bëri Monpelje, ndërsa fillimi i këtij sezonit ishte edhe më i keq. Gjithsesi, dy suksese radhazi në kampionat kanë bërë që PSG të jetë vetëm 3 pikë larg vendit të parë që mbahet nga Marseja e Lioni. Po ashtu, triumfi 4-1 ndaj Dinamos së Kievit në Champions bën që ky edicion europian të shikohet me optimizëm.
Sheikët kanë bërë plane të mëdha. Familja mbretërore e Katarit është e shtata në botë për nga pasuria, ndërsa ka blerë 70 për qind të Paris SG, 17 për qind të grupit gjerman Folksvagen, ka blerë rrjetin e famshëm të dyqaneve Harrods dhe Miramaks Film të Uollt Diznejt.