Skandali, vendimet e Qeverisë nuk botohen në Fletoren Zyrtare
Sipas studimit, 5 akte normative me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave, si dhe shumica e vendimeve të Këshillit të Ministrave, nuk rezultojnë të jenë botuar në Fletoren Zyrtare
TIRANË - Qeveria shqiptare thyen rekord në mosbotimin në Fletoren Zyrtare të vendimeve, që ajo miraton, duke shkelur ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", si dhe nenin 117 të Kushtetutës që përcakton se, ligjet, aktet normative të Këshillit të Ministrave, ministrave, të institucioneve të tjera qendrore marrin fuqi juridike vetëm pasi të botohen në Fletoren Zyrtare.
Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, shpalli dje rezultatet e Monitorimit për botimin e akteve të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave në Fletoren Zyrtare 2006-2007-2008. Botimi në Fletoren Zyrtare, i ligjeve, akteve normative të Këshillit të Ministrave, ministrave dhe institucioneve të tjera është një detyrim kushtetues dhe kusht juridik për hyrjen e tyre në fuqi.
Mirëpo, varësia aktuale e Qendrës së Publikimeve Zyrtare (ku botohen fletoret zyrtare) nga Ministri i Drejtësisë, sipas ÇIP e bën atë vulnerabël ndaj kërkesave të Qeverisë për botimin ose mosbotimin e akteve zyrtare. Kjo varësi nuk e "imunizon" Qendrën ndaj kërkesavearbitrare dhe në kundërshtim me ligjin që mund të vijnë nga titullarë të dikastereve të
ndryshme.
Vendimet
Qendra ÇIP ka monitoruar botimin e ligjeve të Kuvendit dhe të Akteve kryesore që nxjerr Këshilli i Ministrave dhe ka identifikuar konkretisht se akte normative me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave si dhe Vendime të Këshillit të Ministrave (VKM) nuk rezultojnë të jenë botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë gjatë periudhës kohore 2006-2007-2008.
Ky monitorim merr përsipër të faktojë që sistemi i përdorur deri tani nuk i përgjigjet mirë kërkesave që përcaktojnë ligjet në fuqi lidhur me botimin e akteve në Fletoren Zyrtare. Sipas raportit të publikuar, numri i VKM-ve të pabotuara është më tepër se dyfishi i atyre që janë evidentuar.
Megjithatë, autorët e projektit, janë kufizuar në reklamimin e vetëm 465 VKM-ve si të pabotuara në Fletore Zyrtare gjatë tre viteve 2006, 2007, 2008. Brenda këtij totali prej 465 VKM të pabotuara;
a) rreth 167 kanë impakt financiar; b) rreth 189 janë për pasuri të paluajtshme që i kalojnë në pronësi të pushtetit vendor dhe 3 kanë si objekt të tyre investime dhe/apo projekte publike në infrastrukturë rrugore.
Nga totali prej 465 VKM që nuk janë botuar në Fletore Zyrtare, në 107 prej tyre dispozita e tyre e fundit përcakton se vendimi: "Hyn në fuqi menjëherë dhe botohen në Fletoren Zyrtare". Ky është edhe përcaktimi korrekt që parashikon Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave".
Në këtë mënyrë, sa kohë që edhe vetë Këshilli i Ministrave ka përcaktuar në mënyrë eksplicite mënyrën e hyrjes së tyre në fuqi duke përfshirë botimin në Fletore Zyrtare, rezulton se vendimet në fjalë, duhet të ishin botuar me patjetër në Fletore me qellim që të kishin edhe fuqi ligjore.
Kurse, dispozita e fundit tek diferenca prej 357 VKM-sh është thjesht: "Hyn në fuqi menjëherë". Nga 465 vendime të Këshillit të Ministrave, konkretisht: më e pakta 109 VKM janë miratuar gjatë vitit 2006; 85 VKM të miratuara gjatë vitit 2007 ndërsa më e pakta 270 VKM janë të miratuara gjatë vitit 2008.
Qendra e Publikimeve ka vënë re se mes VKM-ve që janë të identifikuara si të pabotuara në fletore zyrtare gjatë viteve 2006, 2007, 2008, një pjesë prej tyre janë me karakter individual dhe jonormativ.
Në kuadër të këtij projekti, ÇIP ka pyetur lidhur me këtë, disa ekspertë të praktikave ligjore, që ndiqen nga administrata, dhe një pjesë e tyre pohuan se botimi në Fletore Zyrtare i VKM-ve me karakter individual, nuk është një praktikë që ndiqet nga Këshilli i Ministrave, pasi teorikisht vendimi i marrë i njoftohet drejtpërdrejt individit, të cilin ai vendim intereson.
Megjithatë, vetë Ligji "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave", nuk bën asnjë dallim mes VKM-ve me karakter individual dhe atyre më karakter normativ, kur përcakton mënyrën e hyrjes në fuqi të akteve që nxjerr Këshilli i Ministrave. Rrjedhimisht, edhe qëndrimi që mbajnë autorët e këtij studimi, është se VKM-të me karakter individual duhet të botoheshin në Fletore Zyrtare.
Megjithatë, autorët e këtij studimi janë shprehur se nuk dëshirojnë të hamendësojnë as për qëllime jotransparente, e as për mungesë vullneti nga ana Këshillit të Ministrave sa i takon botimit të akteve në Fletore Zyrtare, pasi kjo procedurë, sipas tyre, rrjedh pikërisht nga konstatimi se Qeveria i publikon aktet e saj në sitin e vet zyrtar me një rregullsi pothuajse të kënaqshme.
"Është pikërisht siti zyrtar i Këshillit të Ministrave, ai që ka ndihmuar autorët e këtij projekti të identifikojnë në titull dhe në përmbajtje VKM, të cilat, sipas ligjit, duhet të ishin botuar në Fletore Zyrtare",- thuhet në njoftimin për shtyp të CIP-it.
Ligjet
Qendra për Çështje të Informimit Publik ka konstatuar parregullsi në praktikën e ndjekur për botimin në Fletore Zyrtare për të paktën 2 ligje: 1. Ligji nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje...", (botuar në Fletore Zyrtare nr 36, fq 1139, viti 2006). "Treguesi 2006", e paraqet ligjin në fjalë si të miratuar në datë 16.2.2006.
Po të shohësh Fletoren Zyrtare nr 36 viti 2006, ajo e ka të botuar ligjin në fjalë, por me datën 3.4.2006, ndërsa dekreti i Presidentit për ligjin në fjalë është në 25.4.2006.
Ndërsa për ligjin tjetër "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë", Qendra e Publikimeve Zyrtare e ka botuar në të njëjtën ditë kur atë e ka miratuar Kuvendi, pa pritur as edhe një ditë, dekretin për "shpallje ligji" nga Presidenti i Republikës.
Ky i fundit e ka dekretuar shpalljen e ligjit dy ditë më vonë, pra më datë 31.12.2008 me dekretin nr. 5988, i cili është botuar në një Fletore Zyrtare tjetër të rrallës (nr. 192, fq., 10425, Data e botimit: 31-12-2008).
Nga verifikimi i ndërmarrë në kuadër të këtij projekti, në mënyrë të përmbledhur rezulton se gjatë tre viteve, 2006, 2007 dhe 2008 nuk janë botuar në Fletore Zyrtare të paktën 5 akte normative (me fuqinë e ligjit) të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Çfarë parashikon ligji:
Lidhur me mënyrën e hyrjes në fuqi të akteve të Këshillit të Ministrave, Neni 29, Ligji Nr. 9000, datë 30.1.2003 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave",
përcakton:
1. Aktet normative, me fuqinë e ligjit, të Këshillit të Ministrave botohen menjëherë
në Fletoren Zyrtare.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave marrin fuqi juridike pas botimit në Fletoren
Zyrtare. Për vendimet me karakter normativ mund të caktohet si datë hyrjeje në fuqi një
datë tjetër nga ajo e botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa vendimet me karakter individual
hyjnë në fuqi menjëherë, por botohen në Fletoren Zyrtare.
3. Udhëzimet e Këshillit të Ministrave dhe të ministrit marrin fuqi juridike pas
botimit në Fletoren Zyrtare.
4. Urdhrat e Kryeministrit, të ministrit ose të drejtuesit të institucionit qendror, në
varësi të Kryeministrit ose të ministrit, hyjnë në fuqi menjëherë, u njoftohen të
interesuarve dhe shpallen, për të paktën 3 ditë, në një vend të dukshëm të institucionit
përkatës.
Kjo do të thotë se, me përjashtim të Urdhrave të Kryeministrit (pika 4, neni 29), botimi i çdo akti të Këshillit të Ministrave në Fletoren Zyrtare është i detyrueshëm me ligj në çdo rast. Si konkluzion, botimi në Fletoren Zyrtare, i ligjeve, akteve normative të Këshillit të Ministrave, ministrave dhe institucioneve të tjera është një detyrim kushtetues dhe kusht juridik për hyrjen e tyre në fuqi.
Mosbotimi i tyre në Fletoren Zyrtare shkakton apriori moshyrjen në fuqi për shkak të parimit, që nuk mund të përfitosh apo dëmtohesh nga një ndalim apo lejim i ligjit në rast se nuk ke mundësi reale (formale) të njohjes me ligjin.
Janë konstatuar parregullsi në praktikën e ndjekur për botimin në Fletore Zyrtare për të paktën 2 ligje:
1. Ligji nr. 9482, date 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje....", (botuar në Fletore Zyrtare nr 36, fq., 1139, viti 2006). "Treguesi 2006", e paraqet ligjin në fjalë si të miratuar në datë 16.2.2006. Po të shohësh Fletoren Zyrtare nr 36 viti 2006, ajo ka të botuar ligjin në fjalë, por me datën 3.4.2006, shpallur me Dekretin nr. 4831, datë 25.4.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
2. Ligji nr. 10019, datë 29.12.2008 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë". Në rastin konkret, Qendra e Publikimeve Zyrtare e ka botuar në "Kodin Zgjedhor" në të njëjtën ditë kur atë e ka miratuar Kuvendi, pa pritur as edhe një ditë, dekretin për "shpallje ligji" nga Presidenti i Republikës.
Ky i fundit e ka dekretuar shpalljen e ligjit dy ditë më vonë, pra më datë 31.12.2008 me dekretin nr. 5988, i cili është botuar në një Fletore Zyrtare tjetër të rrallës (nr.192, fq 10425, Data e botimit: 31-12-2008)
Nga verifikimi i ndërmarrë, në mënyrë të përmbledhur rezulton se gjatë tre viteve, 2006, 2007 dhe 2008 nuk janë botuar në Fletore Zyrtare të paktën 465 Vendime të Këshillit të Ministrave, konkretisht:
më e pakta 109 VKM të miratuara gjatë vitit 2006
më e pakta 85 VKM të miratuara gjatë vitit 2007
më e pakta 270 VKM të miratuara gjatë vitit 2008
Brenda këtij totali prej 465 VKM të pabotuara
rreth 167 kanë impakt financiar
rreth 189 janë për pasuri të paluajtshme që i kalojnë në pronësi të pushtetit vendor,
rreth 3 kanë si objekt të tyre investime dhe/apo projekte publike në infrastrukturë rrugore.
Nga totali prej 465 VKM që nuk janë botuar në Fletore Zyrtare,
në 107 prej tyre dispozita e tyre të fundit përcakton se vendimi: "Hyn në fuqi menjëherë dhe botohen në Fletoren Zyrtare"
Kurse, dispozita e fundit tek diferenca prej 357 VKM-sh është thjesht: "Hyn në fuqi menjëherë"
Vihet re se, mes VKM-ve që janë të identifikuara si të pabotuara në fletore zyrtare gjatë viteve 2006, 2007, 2008, një pjesë prej tyre janë me karakter individual dhe jonormativ.