E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit ngrenë duart: Nuk shesim

Biznesi i ndërtimit në Korçë është bllokuar nga mungesa e tregut dhe shitjeve. Firmat e ndërtimit deklarojnë se nuk mund të shesin apartamente, duke bllokuar kështu edhe ndërtimet e reja, pasi ka një mungesë të theksuar të blerjeve, që ka lënë pezull punën. Janë të paktën 700 apartamente banimi, që sipas Shoqatës së Ndërtuesve kanë mbetur pa shitur dhe kjo jo për shkak të çmimit, por për shkak të rënies së interesit dhe fuqisë blerëse. Situata, sipas të dhënave nga Shoqata e Ndërtuesve, është përkeqësuar në dy vitet e fundit, ku edhe pse ka një çmim të ulët për metër katror, ka një rënie drastike të fuqisë blerëse të apartamenteve. Në qytetin e Korçës, çmimi i shitjes për metër katror shkon nga 40 në 50 mijë lekë, që sipas ndërtuesve është çmim i ulët. Por, fakti se një numër i madh apartamentesh nuk gjen treg është dëshmi e varfërisë dhe papunësisë. Sipas kryetares së Shoqatës së Ndërtuesve në Korçë, Lida Kushe, në ish-zonën industriale të qytetit çmimi është edhe më i ulët, por nuk ka asnjë interes që të kryhen ndërtime të reja për sa kohë që banesat nuk mund të shiten. Deri më tani tregun e kanë dominuar emigrantët, të cilët kanë qenë edhe fuqia kryesore në blerjen e këtyre apartamenteve. Në dy vitet e fundit, siç deklaron kryetarja e shoqatës, kërkesat kanë qenë minimale edhe nga kjo kategori. "Ritmi i ndërtimeve të reja është tepër i ngadaltë, pasi ka një rënie të madhe të fuqisë blerëse, pavarësisht se në Korçë çmimi është i ulët. Janë të paktën 700 apartamente që kanë mbetur të bllokuara dhe nuk gjejnë shitje", thotë Kushe. Sipas saj, një nga nismat që kanë aplikuar vetë firmat e ndërtimit për të mos bllokuar shitjet ka qenë edhe lehtësimi i pagesës me këste, ndërsa kur blerësi paguan për vlerën e apartamentit të banimit bëhet një ulje prej 5 për qindësh. Mungesa e tregut ka bërë që përkohësisht të ndërpritet puna me ndërtimet, edhe pse nga ana e bashkisë, është miratuar ndërtimi i alternuar tek ish-zona industriale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›