Çështja “Kaka” mbyllet të dielën
Te Milani tifozët kërkojnë të dinë të ardhmen e Rikardo Kakasë, por administratori Adriano Galiani, si zakonisht, bën njeriun e qetë. Braziliani ka marrë një superofertë nga sheikët e Mançester Sitit, që shkon deri në 150 milionë euro për klubin e Milanit dhe një rrogë vjetore prej 15 milionë eurosh për vetë lojtarin. Sipas gazetës "Arabian Business", Kaka dhe Mançester Siti janë shumë afër marrëveshjes. Sheiku Mansour Bin Zayed Al Nabyan, padroni i klubit anglez, u ka treguar disa miqve se jashtëklasi brazilian i ka pranuar kushtet e ofertës për të firmosur kontratën. Më pas u fol se Kaka kishte kërkuar një rritje prej 20 përqindësh në raport me ofertën fillestare të arabëve, që do të thotë në shifra, nga 500 mijë euro në javë, në 730 mijë euro në javë, si kompensim se nuk do të luajë vitin e ardhshëm në Ligën e Kampioneve. Burime pranë sheikut Mansour pohojnë se çështja “Kaka” do të zgjidhet brenda së dielës. “Ka pasur shumë ulje e ngritje gjatë tratativave, - pohonte gazeta ‘Arabian Business’, - por nyja gordiane nuk ka qenë paga e kërkuar nga Kaka. Oferta është zyrtare, por Kaka kërkon një rritje prej 20 përqindësh, duke parë se lojtari nuk do të marrë pjesë në Ligën e ardhshme të Kampioneve”.
Juve: “Del Pieron nuk e japim as për 120 milionë euro”
Milani i ka hapur dyert Mançester Sitit për Rikardo Kaka, por presidenti i Juventusit, Xhovani Koboli Xhili, nuk ka aspak ndër mend ta “shesë” Aleks Del Pieron. “Nuk kemi pasur asnjëherë asnjë ofertë për Bufon, ndërsa Del Piero është ylli i Juventusit, është shtylla kryesore e skuadrës dhe nuk është aspak i interesuar për t’u larguar nga Torino. Nuk do ta shisnim as për 120 milionë euro. Sigurisht që këto shifra, në momentin që kriza ekonomike ka përfshirë gjithë botën, janë shumë të palogjikshme”, - është shprehur presidenti i Juventusit. Megjithatë, numri një i bardhezinjve nuk kritikon rivalët e Milanit. “Përpara shifrave kaq të pabesueshme besoj se lojtari dhe shoqëria mund të bëjnë vlerësimet e tyre”, - ka pranuar ai.
Hofenhaimi, 175 milionë euro për titullin
Presidenti i Hofenhaimit, Dietmar Hop, mund të jetë një nga të paktët drejtues që po kënaqen nga ecuria pozitive e skuadrës së vet. Nga një ekip modest që surprizoi me ngjitjen në Bundesligë, Hofenhaimi e mbyllën fazën e parë të kampionatit si kryesues. Por që të arrihej gjer këtu, natyrisht duheshin investime të konsiderueshme, për të cilat presidenti Dietmar Hop, një biznesmen shumë i suksesshëm në Gjermani, nuk është kursyer. Ai pranon se shpenzimet e tij personale kanë qenë me të vërtetë të mëdha. Madje bën të ditur se deri tani ka hedhur plot 175 milionë euro.
Maradona: "Morati e Murinjo, të mrekullueshëm”
Kur komplimenti vjen nga një legjendë, ai merr vlera të shumëfishta. “Murinjo dhe Morati na kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë vizitës sonë në Milano”, - është shprehur trajneri i Kombëtares argjentinase, Diego Armando Maradona. “Morati dhe Murinjo na kanë lejuar të merrnim pjesë si shikues edhe gjatë stërvitjes”, – ka deklaruar Maradona për shtypin argjentinas gjatë rikthimit të tij në Buenos Aires. “Në Itali luajnë shumë futbollistë argjentinas. Patëm mundësinë të bisedojmë me të gjithë, për shembull me Zanetin, Burdison, Krespon dhe Samuel. Pastaj pamë edhe ndeshjen Inter-Xhenoa”. Maradona ka deklaruar se prej kohësh dëshironte të njihte trajnerin portugez të Interit, Zhoze Murinjon: “Më kishin folur për të, pothuajse të gjithë, trajnerë dhe gazetarë. Ishte një surprizë shumë e madhe. Më duket një njeri i shkëlqyer, një punëtor i vërtetë. Më priti shumë mirë, biseduam për taktika, si dhe për karakteristikat e të gjithë lojtarëve që ka pasur. Tani mendoj se kam një pikë referimi përsa i përket trajnerëve”, - ka përfunduar Maradona.
17 Janar 2009