Skela-Mynih 1860, ka një kontratë në mes
Leonard Karaj
Ervin Skela është pothuajse një futbollist i Mynih 1860.Lajmi bëhet i ditur nga mediat gjermane të cilat kanë intervistuar si drejtuesit e skuadrës baraveze të Bundesligës së dytë dhe fantazistin e kombëtares shqiptare ditën e shtunë pas takimit miqësor Grojter Fyrth-Shqipëri. Trajneri i Mynihut, Evald Lienen dhe drejtori teknik i klubit, Miki Steviç vëzhguan nga afër futbollistin shqiptar dhe mbetën mjaft të kënaqur nga performanca e tij. “Skela konfirmoi vetveten. Ishte pikërisht ai lojtar që na patën treguar. Është i fortë dhe ka një zotërim të mirë të topit. Kjo si duket ka qenë edhe arsyeja se pse ai ka mundur të luajë për kaq shumë kohë dhe rregullisht në Bundesligë”, ka pohuar Lienen. Skela luajti si titullar në miqësoren me Fyrthin dhe u zëvendësua vetëm në pjesën e dytë pasi dha edhe asist për golin e Erjon Bogdanit. “Pikërisht këtë gjë kërkojmë nga një lojtar si Skela”, ka vazhduar Lienen.
Ndërkohë nga ana tjetër fantazisti i kombëtares shqiptare ka pohuar se do të dëshironte një kontratë afatgjatë me Mynih 1860. “Jam familjar dhe nuk më pëlqen shumë që të lëviz klub për çdo sezon. Jam i lodhur duke ndjekur ndeshjet në televizion ndaj jam gati të luaj që tani për Mynih”, ka pohuar Skela. Futbollisti shqiptar është stërvitur gjatë kësaj kohe me skuadrën e dytë të Bajer Leverkusen. “Kontrata që do të firmos tani mund të jetë e fundit e karrierës sime. Dua të luaj të paktën edhe dy vjet, ndaj nuk do të pranoj asesi një kontratë 6 mujore. Dua shumë të luaj për Mynih 1860, kjo edhe për atë çka përfaqëson ky klub në futbollin gjerman”, ka pohuar Skela. Megjithë deklaratat e shumta dhe joshjet e ndërsjellta, firma në kontratë ende nuk është hedhur. “Nuk kam ende një ofertë zyrtare nga klubi”, ka theksuar Skela. Ndërsa trajneri i Mynih, i pyetur për këtë fakt ka pohuar: “Nëse ne do të marrim Skelën atëherë do të duhet ta aktivizojmë menjëherë në lojë. Por problemi qëndron sesi dhe dëshiron që ai të luaj. Aktualisht ne jemi duke parë për një lojtar fantazist të nivelit mesatar dhe jo të një niveli të lartë sikundër është Skela”, ka pohuar ky i fundit.