Skela, gol kundër “ujqërve” të VolfsburgutPër Ervin Skelën ky ishte goli i tij i dytë sezonal me Kotbusin (plus 5 asistë), ndërkohë që në total numri i golave të tij në Bundesligë arriti në 21 për 32-vjeçarin.

Ervin Skela shënoi një gol “mbijetese” në minutën e 86-të, duke dyfishuar shifrat e fitores së bujshme 2-0 të Energi Kotbusit kundër kryesuesve të Bundesligës 1, Volfsburgut, duke rihapur kështu luftën për titull në Gjermani.
Fantazisti i Kombëtares ishte në një ditë të shkëlqyer (gjuajti rrezikshëm në të 18’ e 34’), por edhe shërbeu në ndërtimin e aksioneve sulmuese të Kotbusit kundër “ujqërve” të Bundesligës.
Pas shënimit të golit, në minutën e 88-të, Skela u zëvendësua nga trajneri Bojan Prasnikar nën duartrokitjet frenetike të rreth 16 mijë shikuesve të pranishëm në “Stadiumin e Miqësisë”.
Për Ervin Skelën ky ishte goli i tij i dytë sezonal me Kotbusin (plus 5 asistë), ndërkohë që në total numri i golave të tij në Bundesligë arriti në 21 për 32-vjeçarin.
Me këtë fitore, Energi doli nga zona e “tre të vdekurve klinikë”, pasi tani ndodhet në vendin e 15-të, me 26 pikë, duke lënë pas Arminian e Bieleldit (25 pikë), Borusian e Menshlengladbahut (24) dhe Karlsruhes (22) së Edmond Kapllanit.
E Hene, 27 Prill 2009