Madhi: Komisioni të pranojë ekspertët e partive të vogla
Autori i Lajmit: S. TopiRepublikanët i bëjnë thirrje dy partive më të mëdha parlamentare që rishikojnë edhe njëherë dispozitën e rregullores së komisionin për reformën zgjedhore sipas së cilës dy bashkëkryetarët kanë të drejtën e propozimit të ekspertëve teknikë. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi pohoi se në dispozitën e rregullores që është përcaktuar për funksionimin e këtij komisioni, është parashikuar që të tre ekspertët të propozohen nga dy bashkëkryetarët. Sipas tij, kjo krijon një lloj pasigurie te përfaqësuesit e partive të tjera, të cilët kërkojnë minimalisht të modelohet ndryshe kjo dispozitë, për t i dhënë mundësi të propozojnë edhe të tjerët që janë përfaqësues në këtë komision. “Ekspertët janë teknikë, ndërsa përfaqësimin ne e kemi politik në atë komision, ndaj secila parti që ka nevojë për ekspertizë do t i drejtohet ekspertëve të asaj tryeze. Duke qenë se propozimi i ekspertëve teknikë që do të trajtojnë projektin që do të dalë nga tryeza, i është lënë dy bashkëkryetarëve dhe mëqënëse ata nuk vijnë nga shoqëria civile, por janë përfaqësues të forcave politike, atëhere pjesa tjetër e përfaqësuesve në komisionin e reformës zgjedhore kërkon të shikohet edhe njëherë kjo dispozitë, dhe sigurisht që ajo dispozitë nuk u votua”, - tha Madhi. Duke u ndalur te vendimmarrja në këtë komision, ai sqaroi se dy bashkëkryetarët kanë të drejtën e vetos, por njëkohësisht këtë të drejtë e kanë edhe 10 anëtarë të tjerë të komisonit, gjë që do të thotë se edhe partitë e vogla kanë të drejtën të ushtrojnë veton në votim. Lidhur me objektin e punës së këtij komisioni, Madhi u shpreh se kryetema do të jetë reforma në sistemin e zgjedhjeve dhe për këtë do të ketë edhe takime me ndërkombëtarët për të krijuar të gjitha mundësitë për konsensus. “Unë besoj se mirëkuptimi do të jetë i mundshëm, pavarësisht se nga mediat transmetohen qëndrime që duket sikur janë ekstremisht të pamundura. Ende nuk janë paraqitur modele konkrete, por mendoj se do të konkurrojnë 2 modele, një model që do të përfaqësohet nga dy partitë e mëdha dhe një model që përfaqëson interesat e partive të vogla, por nuk besoj se do të ketë konflikte shumëdimensionale", tha zoti Madhi. Në këtë drejtim, ai vuri në dukje, se dy partitë e mëdha do të kërkojnë një rritje të pragut elektoral me argumentin e një lloj stabiliteti qeverisës, ndërkohë që partitë e vogla, duke konsideruar peshën e tyre politike dhe mundësitë në zhvillim të elekoratit të tyre, kërkojnë ruajtje të pragut elektoral".
Ky lajm është publikuar: 28/09/2007