Skema e re e spitaleve, gati firmosja e kontratave me ISKSH
Brenda pak ditësh pritet të firmosen kontratat e reja mes 39 spitaleve publike të vendit dhe Institutit te Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Cilësia e shërbimit ndaj pacientit dhe reduktimi i pagesave nën dorë janë dy indikatorë të cilët futen për herë të parë nga ISKSH në kontratat e reja. Skema e financimit të tyre do të jetë e një formë krejt të re. Për bluzat e bardha këtë vit do të ketë kushte, të cilat nëse zbatohen do t'u ofrojnë atyre shtesë mbi pagën që përfitojnë. Në të kundërtën do të ketë penalizime. Do të marrin gjobë deri në 30 000 lekë mjekët e spitaleve që kryejnë vizita pa rekomandim. Në maternitete lindjet me operacion nuk duhet të kalojnë 20% të numrit total të lindjeve. Në të kundërt nuk përfitohet bonus nga bluzat e bardha e përpos kësaj spitali cilësohet me një performancë jo të mirë. Risi në kontratën spitalore të vitit 2010 është aplikimi i formave të reja të vlerësimit të performancës së mjekëve, nëpërmjet matjes së një seti indikatorësh. Këtu bëjnë pjesë përqindja e shfrytëzimit të shtratit dhe përqindja e pacientëve të shëruar që kanë dalë nga spitali. Për këto indikatorë, sa më e lartë të jetë përqindja, aq më efikas do të cilësohet spitali. Ndërkaq sa i përket përqindjes së rishtrimeve përmes shërbimit të urgjencës, brenda 72 orëve pas daljes nga pavijoni, për të pasur efikasitet përqindja e këtij indikatori do të jetë e ulët. Një pikë tjetër e rëndësishme e kontratave me spitalet është ngritja e strukturës së shërbimit të recepsionit dhe arkëtimit, e cila do të regjistrojë dhe indentifikojë lëvizjen e pacientëve, si dhe përfitimin e shërbimit përkatës brenda spitaleve. Mirëfunksionimi i këtij shërbimi do të sjellë ulje të informalitetit dhe rritje të të ardhurave të spitaleve, të cilat do të përdoren për barna, investime dhe shpërblime. Kontratat e reja synojnë gjithashtu forcimin e rolit të kontrollit në spitale.