E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, humb jetën 55 vjeçarja nga Fieri

 Një 55-vjeçare nga Fieri e ka çuar në 10 numrin e viktimave nga gripi i derrit në vendin tonë. Ajo humbi jetën tre ditë më parë në sanatoriumin e kryeqytetit. Gjithçka e pohojnë burime zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas Drejtorit të Politikave Shëndetësore në këtë dikaster, Pëllumb Pipero, gruaja kishte 9 ditë në reanimacion në gjendje mjaft të rëndë. "Pacientja vuante nga hipertensioni dhe obeziteti, ishte e pamundur të mbijetonte edhe pas ndihmës së specializuar mjekësore", tha Pipero. Sipas tij, gjatë ditëve të festave situata gripale në vend ka qenë e qetë. "Kemi pasur gjatë këtyre 5 ditëve 10 veta në reanimacion, prej të cilëve 9 janë përmirësuar. Kemi vetëm një rast të rëndë në sanatorium", sqaroi Pipero. Sipas tij, mes të sëmurëve është edhe një tjetër grua shtatzënë, por gjendja e saj paraqitet mjaft e mirë. Ndërkaq nga sa bëjnë me dije specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, ndonëse kurba e gripit përgjithësisht ka shënuar rënie, rreziku i prekjes nga gripi nuk ka kaluar ende. Madje një tjetër valë goditëse e virusit pritet në mes të janarit dhe gjatë muajit shkurt. "Të gjithë qytetarët duhet të bëjnë kujdes, duke mos neglizhuar shenjat e gripit e mbi të gjitha të shmangin sa më shumë vetëkurimin në kushtet e shtëpisë", thonë infeksionistët. Personat më të rrezikuar nga gripi i derrave mbeten të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Pjesa më e madhe e viktimave të regjistruara deri tani i përkasin pikërisht këtyre grupeve. Këshillat e mjekëve"Evitoni vendet publike të mbyllura, ruani higjienën personale dhe lani shpesh duart". Këto janë disa nga këshillat kryesore që japin epidemiologët për të evituar një prekje të mundshme nga gripi i derrave. Sipas tyre, nuk është i domosdoshëm përdorimi i solucioneve antibakteriale. "Kontakti me duar është një prej mënyrave më të shpeshta të transmetimit të çfarëdolloj forme virusi gripal. Sidomos kur shpenzohet kohë në vende publike me shumë njerëz apo përdoren mënyrat e transportit publik. Ndaj është domosdoshmëri larja e duarve, jo vetëm para vakteve ushqimore", thonë epidemiologët. Sipas tyre, duhet të shmangen mbi të gjitha kontaktet me personat e sëmurë. "Kjo pasi virusi mund të kalojë nëpërmjet ajrit apo pështymës. Ne si specialistë këto këshilla i japim për çdo lloj forme gripi apo sëmundjeje infektive që transmetohet në këtë mënyrë", sqarojnë epidemiologët. Ata theksojnë se qytetarët nuk duhet të alarmohen, por nga ana tjetër duhet të bëjnë kujdes. Vetëm gjatë muajit dhjetor, gripi i derrave shënoi 8 viktima. Mes tyre edhe dy gra shtatzëna. Qytetarët këshillohet që të kryejnë vaksinën kundër virusit gjatë këtij muaji. Atë nuk do ta injektojnë personat me alergji ndaj vezës. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që të mos aplikohet për fëmijët nën 1 vjeç. Dozimi ndryshon në vartësi të moshës, për personat mbi 12 vjeç aplikohet dozë e plotë prej 0.5 ml, ndërsa për fëmijët nga 12 muajsh deri 12 vjeç gjysma e dozës. Sipas të dhënave, nuk ka raporte për efekte anësore të rënda prej kësaj vaksine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›