Skema e re, ligj jashtë parlamentit për Konferencën GjyqësoreNga Tema Beteja e radhës e Berishës për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Manjola Bejleri: Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kundër mbledhjes së Konferencës Gjyqësore
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Skema e re, ligj jashtë parlamentit për Konferencën GjyqësoreNga TemaBeteja e radhës e Berishës për të kontrolluar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Manjola Bejleri: Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, kundër mbledhjes së Konferencës Gjyqësore pa u miratuar ligji
Një tryezë e thirrur nga Gjykata e Lartë, në të cilën morën pjesë krerët e gjykatave në gjithë vendin dhe përfaqësues të shoqatave të huaja, që asistojnë sistemin gjyqësor në Shqipëri, ka bërë dje thirrje për një vetadministrim të situatës së krijuar pas boshllëkut ligjor për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore.
Tryeza, edhe pse me kundërshtimin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, njoftoi se ka thirrur më 5 dhjetor de facto Konferencën Gjyqësore të Shqipërisë për të marrë një vendim, nëse Konferenca Gjyqësore e Shqipërisë do zgjedhë katër anëtarët e KLD, edhe pa u miratuar ligji për Konferencën Gjyqësore.
Ligji për Konferencën Gjyqësore është hedhur poshtë vitin e kaluar nga Gjykata Kushtetuese, pas ankimimit të tij nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë, drejtuar nga zonja Bejleri.
Zonja Bejleri tha dje për emisionin “Faktori Plus”, se njoftimi i tryezës së kryetarëve të gjykatave është i pasaktë dhe i pamundur. Ajo tha se në muajin shkurt 2009 kjo tryezë ka miratuar një rezolutë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se Konferenca do të mblidhet sipas ligjit që do të miratohet dhe se tani nuk mund të dalë një vendim i dytë kundër tryezës së parë dhe kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ajo po ashtu tha se është spekulim fakti që është quajtur vendim unanim, pasi ajo si përfaqësuese e shoqatës nuk e ka miratuar këtë njoftim.
Por si qëndron problemi nga pikëpamja ligjore.
Konferenca Gjyqësore Kombëtare është e parashikuar në Kushtetutë si organi që zgjedh 9 anëtarë të KLD, të cilët janë gjyqtarë të të gjitha niveleve (neni 147/1 i Kushtetutës: Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme).
Në përputhje me këtë përcaktim kushtetues, ligji organik për Këshillin e Lartë të Drejtësisë (nr. 8811 datë 17.5.2001) ka parashikuar kriterin bazë për zgjedhjen e këtyre anëtarëve (neni 4/1 i ligjit: Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, duhet të jenë gjyqtarë prej jo më pak se 10 vjetësh).
Por ligji i KLD nuk prek organizimin e Konferencës lidhur me organet drejtuese, kompetencat apo procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të KLD, që është praktikisht detyra e saj kryesore.
Deri në vitin 2005, edhe pse nuk ka pasur një ligj të posaçëm për organizimin e Konferencës, anëtarët e Këshillit janë zgjedhur nga mbledhja e KGJK (sepse ishte kriter kushtetues) dhe pikërisht ky organizim pa ligj çoi në nevojën e miratimit të kornizës ligjore.
Ligji nr. 9399, datë 12.5.2005 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare’ përcaktoi modalitetet për përbërjen dhe organizimin e Konferencës. Sipas këtij ligji, organizimi i gjyqtarëve në Konferencë ishte në dy nivele, në atë rajonal dhe atë kombëtar: fillimisht mblidheshin 6 konferenca rajonale (të organizuara sipas juridiksionit të gjykatave të Apelit), të cilat zgjidhnin përfaqësuesit e gjyqtarëve dhe këta të fundit merrnin pjesë në Konferencën Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e anëtarëve të KLD.
Një nga arsyet pse ky ligj u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese ishte pikërisht parashikimi i delegimit të votës së shumicës së gjyqtarëve te një pjesë e tyre, dhe këta të fundit praktikisht kishin autoritetin e votimit për të zgjedhur anëtarët e Këshillit.
Pas vendimit nr. 25, datë 05.12.2008 të Gjykatës Kushtetuese, që nga fillimi i këtij viti ka pasur disa iniciativa nga Ministria e Drejtësisë për hartimin e projektligjit të ri për Konferencën Gjyqësore Kombëtare.
Ka pasur të paktën dy projekte të ndryshme, të cilat u janë komunikuar për mendime edhe shoqatave të gjyqtarëve, gjykatave apo Këshillit të Lartë të Drejtësisë, iniciativa të cilat nuk janë përfunduar.
Cila është situata aktuale?
Aktualisht Konferenca nuk është mbledhur dhe 4 anëtarë të KLD kanë mbaruar mandatin 5-vjeçar dhe duhet të zëvendësohen. Çështja thelbësore për diskutim: Cili është raporti midis nevojës për të pasur një ligj për zgjedhjen e anëtarëve dhe zgjedhjes sa më shpejt të tyre duke mbledhur Konferencën pa ligj?
Një zgjidhje që propozon qeveria përmes Gjykatës së Lartë është të operohet pa ligj. Por ky do të ishte një proces i kontestueshëm.
Së pari, nëse do të konsiderohej normale që Konferenca të mblidhet pa u rregulluar organizimi i saj në nivel të ligjit, atëherë më së pakti nuk do kishim nevojë për ligj as në vitin 2005 dhe mund të vazhdonte tradita e filluar të paktën që nga viti 1995.
Së dyti, zgjedhja e anëtarëve të KLD, që janë në thelb KLD, pasi janë shumica e saj (3/5), nuk mund të bëhet me akte rregullatore të rastit si urdhra apo rregullore, që për me tepër në kushtet ligjore aktuale është e pamundur. Konferenca është pa diskutim tërësia e gjyqtarëve, por ka një vakuum ligjor për sa i përket organizimit.
Kush e ka autoritetin ta thërrasë, ta drejtojë, të përcaktojë procedurat?
Aktualisht, askush. Nëse patëm një ligj me probleme dhe u shfuqizua, qëllimi është të bëhet një më i mirë, operimi fare pa ligj do të ishte regres.
Nga ana tjetër, kjo situatë nuk rrezikon punën aktuale të KLD. Anomalia e shkaktuar nga vonesa e miratimit të këtij ligji, në fakt nuk ka bllokuar punën e KLD, e cila ka detyrimin të mblidhet të paktën një herë në dy muaj (neni 19/1 i ligjit për KLD: Kryetari vendos për datën dhe kohën e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por jo më rrallë se një herë në 2 muaj).
Tejkalimi i afatit 5-vjeçar nuk e bën të paligjshëm pjesëmarrjen në KLD të anëtarit që i ka kaluar ky afat. Neni 7 i ligjit thotë se anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilëve u është plotësuar afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarit të ri të tij. Aktualisht ka dy anëtarë të Këshillit, të cilët ndodhen në këto pozita, por vetë ligji u ka zgjatur autoritetin për të marrë pjesë në mbledhjet e KLD dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes së tij.
Përgjegjësia politike, jo e gjyqësorit
E vërteta është se kriza qëndron te politika dhe te mungesa e vullnetit të qeverisë për ta bërë këtë ligj në kohën e duhur, atëherë kur gjithë palët ishin dakord. Kjo bën që të duket se tani ka një konflikt mes afatit të vonuar të ripërtëritjes së anëtarëve dhe zbatimit të ligjit në zgjedhjen e tyre. Kjo e dyta garanton stabilitet dhe përgjegjshmëri.
Gjyqësori mbështet nevojën për t’u miratuar sa më parë ky projektligj, dhe kjo është e vetmja rrugë legale për t’u ndjekur. Nuk mund të ketë iniciativa gjyqtarësh mbi praktika të superuara, nuk mund të përsëriten gabimet. Në argument të kësaj, mundet që në konflikt të hyjnë edhe institucionet, pasi pas zgjedhjes së anëtarëve nga Konferenca, KLD i duhet të verifikojë zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ky verifikim nuk do të mund të bëhet pa ligj.