E Diel, 1 Nëntor 2026

Fierza drejt pikut, eksport energjie me dy kompani

 

Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar ndjeshëm situatën hidrike në vend. Niveli i ujit në kaskadën e Drinit është rritur ndjeshëm. Të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës është rreth 284 metra ndërkohë që pika maksimale është 296 metra. Prurjet e ujit arrijnë mbi 500 metër kub në sekondë. Në një situatë të tillë për të evituar derdhjen e ujit ka nisur eksporti i energjisë si dhe depozitimi i saj në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës dje janë eksportuar rreth 2.4 milionë kwh energji tek kompania "Rudnap" dhe 400 mijë kwh tek kompania ATEL. Ndërsa në Kosovë janë depozituar rreth 400 mijë kwh energji elektrike. Ndërsa dy ditë më parë janë eksportuar rreth 2.4 milionë kwh energji tek kompania "Rudnap", ndërsa janë depozituar rreth 360 mijë kwh energji në Kosovë. Ky është viti i parë që korporata po shet energji drejt vendeve fqinje. Kjo pasi ndryshe nga vitet e kaluara ky vit ka qenë një vit i lagësht ose e thënë ndryshe një vit i mbarë për korporatën. Me situatën aktuale në kaskadë KESH arrin të plotësojë pjesën më të madhe të kërkesës për energji nga prodhimi vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›