E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raund i ri bisedimesh për emrin e Maqedonisë më 11 shtator



Një raund i ri bisedimesh midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit pritet të fillojë më 11 shtator, shkruan gazeta greke “Navtemboriki”. Lajmi u bë i ditur duke u thirrur në komunikatën e Sekretariatit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. “Ndërmjetësi Metju Nimiç planifikon takime me negociatorët, Adamandios Vasilakis dhe Nikolla Dimitrov, ku si qëllim kryesor i këtij takimi do të jetë vazhdimi i bisedimeve për kontestin e emrit”, shkruan “Navtemboriki”. Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është shprehur pesimist lidhur me politikën e SHBA-ve ndaj vendit të tij, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA që do të mbahen në nëntor.
“Është e qartë se ekzistojnë disa ndryshime lidhur me Irakun dhe çështje të tjera. Megjithatë përsa i përket Maqedonisë, nuk pres ndryshime”,- ka thënë ai. Sipas Gruevskit, SHBA-të vështirë të ndryshojnë politikat e jashtme, veçanërisht kur bëhet fjalë për partneritete strategjike. “Maqedonia dhe SHBA-të kanë partneritet strategjik dhe nga përvoja e deritanishme, do të thosha përvoja historike, duke parë politikat e jashtme të SHBA-së, është e qartë se ata nuk i ndryshojnë partneritetet strategjike brenda natës, nuk i shkatërrojnë ato që kanë ndërtuar dhe as nuk i ndërtojnë kështu me lehtësi ato që nuk janë ndërtuar. Nuk pres ndonjë ndryshim serioz lidhur me politikën e jashtme kundrejt nesh”,- theksoi Gruevski.

5 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›