“S’kemi kërkesë për heqjen e drejtorit të shkollës në Devoll”
• DEVOLL – Kreu i arsimit të Devollit pohoi dje se drejtori i shkollës “Fuat Babani” në këtë qytet do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.Sipas Nazar Medollit, pas ngjarjes së rëndë kur u vetëvar 17-vjeçari Mikel Ajçe, nxënës i këtij gjimnazi, shkolla ka hyrë në ritmin e zakonshëm. Megjithë deklarimet e babait të nxënësit për largimin e drejtorit Alfred Mulla dhe protestës së shokëve të viktimës ditën e varrimit, mësimi po vazhdon normalisht. “Kërkesa e nxënësve për largimin e drejtorit ka qenë një thirrje e protestës, pasi në Drejtorinë Arsimore ata nuk kanë çuar me shkrim një kërkesë të tillë. Vlen të theksohet se në këtë klasë mësimi zhvillohet në mënyrë rigoroze dhe me një disiplinë më të fortë se më parë”, pohoi ai. Ndërsa për drejtorin Alfred Mulla, kreu i arsimit në rreth u shpreh se, “ai është drejtori më i mirë në të gjithë rrethin, ka forcuar nivelin cilësor të mësimit dhe edukimin. Ne e përdorim shembull për gjithë drejtuesit e tjerë të shkollave”. j.gj