E Diel, 1 Nëntor 2026

Skenarë të zinj për Bosnjë-Hercegovinën?

Diplomatë të lartë perëndimorë janë të mendimit se, nëse Bashkimi Evropian dëshiron ta ndalojë "rrëshqitjen mbrapsht" të Bosnjë-Hercegovinës, atëherë ai duhet të veprojë më shpejt dhe më energjikisht. Ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së në Sarajevë, Pedi Eshdaun, dhe "arkitekti" i Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995, Riçard Hollbruk, paralajmërojnë mundësinë e një kolapsi total të Bosnjë-Hercegovinës, që mund të shkaktojë një krizë të re në rajonin e Ballkanit. Në një shkrim të përbashkët të botuar në gazetën "Gardian" të Londrës, diplomatët britanikë dhe amerikanë vënë në dukje nevojën e një bashkëpunimi emergjent dhe akoma më të madh transatlantik që ky vend të ruhet nga shpërthimi i një krize të re, 13 vjet mbas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Të dy diplomatët e lartë perëndimorë akuzojnë Kryeministrin e Republikës Serbe (Srbska), Milorad Dodik, sepse po punon në drejtimin e përgatitjes së shkëputjes së entitetit serb nga Bosnja-Hercegovina, sapo të krijohet mundësia më e parë. "Dodiku, gjatë dy viteve të fundit, me punën e tij minuese ka shkatërruar pjesën më të madhe të arritjeve e të përparimit që ishte arritur në vend që nga koha (1995) e nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit", vënë në dukje z. Eshdaun dhe z. Hollbruk në shkrimin e tyre të botuar ditët e fundit në gazetën britanike "Gardian", duke i tërhequr me forcë atij (Dodikut) vërejtjen se praktikisht po përpiqet të ndalojë evolucionin e Bosnjë-Hercegovinës në një shtet të vetëm e funksional, që mund të jetë konkurrues në Bashkimin Evropian. Dodiku, nga ana e tij, mbrohet duke theksuar se ai e respekton Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, por se kundër tij punojnë "pala boshnjake" dhe kundërshtari i tij politik, Haris Silajxhiç, që, sipas tij, synon ta ndryshojë Marrëveshjen e Dejtonit në atë mënyrë që të eliminojë entitete të veçanta.

Diplomatët e lartë, në shkrimin e tyre të përbashkët të titulluar "Fuçia boshnjake e barutit", theksojnë se, në thelb, ata të dy (Dodiku dhe Silajxhiçi) shkelin parimet e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, duke punuar kundër rregullimit federal në kuadrin e një shteti të vetëm. Z. Eshdaun dhe z. Hollbruk vënë në dukje faktin e ringritjes së shpejtë të kokës së nacionalizmave boshnjakë e kroatë dhe se "rrëshqitja mbrapsht" e këtij shteti ballkanik mund të ndalohet vetëm në qoftë se BE-ja "zgjohet" dhe merr "frenat në dorë", duke vepruar më shpejt dhe më energjikisht. Sipas tyre, edhe administrata e re amerikane ka në plan që të angazhohet përsëri në Bosnjë-Hercegovinë. "Kjo do të thotë vazhdim të pranisë ushtarake në vend dhe përfundim të procesit të reformave kushtetuese", konstatojnë të dy diplomatët e lartë perëndimorë në shkrimin e tyre të përbashkët, të botuar në gazetën londineze "Gardian".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›