E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenari i tetë

Skenari i tetë. Kështu e quan Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, miratimin e Projektligjit të punës, nga Qeveria e Kosovës. Sipas shefit të BSPK`së, Haxhi Arifi, edhe ky do të jetë një skenar i njëjtë, sikur edhe shtatë procedimet e mëhershme të Ligjit të punës. Ligji u miratua nga Qeveria të premten, një ditë para protestës se organizuar nga BSPK, ku njëra nga kërkesat kryesore ishte miratimi i Ligjit të Punës. Në të kaluarën, Ligji është hequr shtatë herë nga procedura e miratimit, për shkak të kostos financiare. Bazuar në këtë, sindikalistët nuk shpresojnë fort se do të miratohet nga Kuvendi.
“Ky është skenari i tetë i Qeverisë. Shtatë skenarë kanë përfunduar me heqjen e Ligjit të punës nga procedurat e miratimit”, është shprehur Arifi. Sipas tij, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve do të ishte në interes jo vetëm të punëtorëve, por edhe të punëdhënësve, sepse kur punëtorët janë të kënaqur me pozitën dhe statusin e tyre, ata janë më të disiplinuar dhe me produktivë në punë.

“Institucionet tona vetëm po premtojnë dhe deri tani nuk kanë arritur t’i realizojnë premtimet e dhëna”, ka thënë, Arifi.

Me kornizën afatmesme të shpenzimeve, 2009-11, nuk parashihet projektimi buxhetor për financimin e Ligjit të punës.

Myzejene Selmani, kryetare e Komisionit për ekonomi, energjetikë ... të Kuvendit, thotë se nuk e kupton se kah do t’i marrë Qeveria paratë për zbatimin e Ligjit.
Sipas saj, nuk është problemi nëse Ligji i punës vjen për miratim në Kuvend, por si do të mund të zbatohet.

“Qeveria ende nuk e ka gjetur mënyrën e financimit të Ligjit. Kam frikë së veç vjen në Kuvend dhe ngel aty”, tha Selmani.

Megjithatë, në ditën kur u miratua Ligji, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Qeveria do të mbulojë koston financiare të Ligjit, por pa e përmendur burimin e mjeteve.

Sipas kryeministrit, Ligji i punës i ka munguar për një kohë të gjatë Kosovës, por tash e tutje, sipas tij, punëtorët do të mbrohen me ligj.

“Ky është ligj që i ka munguar Kosovës, që rregullon të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat dhe është i konsultuar. Tash e tutje, punëtoret do të mbrohen me ligj”, ka thënë Thaçi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ministria e të cilit ka hartuar Ligjin, e ka vlerësuar si Ligj që i plotëson kriteret evropiane.

Njëjtë beson edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili thotë se Projektligji i ka plotësuar kriteret dhe standardet.

“Është i harmonizuar edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore që kanë qenë ndihmës kryesorë gjatë të gjitha fazave”, ka thënë Shala.
Ndryshe, në mungesë të Ligjit të punës, sipas BSPK-së, punëtorët në Kosovë ballafaqohen me probleme të shumta. Shumë punëtorë, sidomos në sektorin privat, nuk kanë kontratë punë, nuk kanë orar të caktuar dhe nuk kanë sigurim shëndetësor, pensional dhe invalidor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›