BAF investon në kompaninë “Landeslease” në Shqipëri
Balkan Açession Fund (BAF) ka blerë së fundi një numër aksionesh të Landeslease-s, e cila është kompania indipendente më e madhe e lizingut në Shqipëri. Sipas burimeve zyrtare të kësaj kompanie, transaksioni është përfunduar dhe mbas shitjes, "Landeslease" u bë pjesë e grupit rajonal të lizingut Emerging Europe Lease and Finance (EELF), ku pjesa më e madhe e tij zotërohet nga "Balkan Açession Fund". EELF ka si synim të bëhet lider i shërbimeve të lizingut në Europën Lindore. Kompani të tjera të këtij grupi janë “BM Leasing JSC” në Bullgari dhe “Total Leasing JSC” në Moldavi. Balkan Açession Fund ka investuar në kapitalin e "Landeslease" dhe po planifikon të rrisë financimet nga ana e investorëve të saj afatgjatë në mënyrë që të rrisë portofolin e lizingut të kompanisë. "Landeslease" do të ofrojë procedura standarde jo vetëm për financimin e autoveturave, por dhe për pajisje të ndryshme nëpërmjet mënyrës së lizingut. “Tregu shqiptar i lizingut është akoma në fillimet e tij. Që nga viti 2005, janë disa kompani që operojnë në këtë sektor duke financuar autovetura dhe pajisje. Tregu dhe pse i vogël po rritet shpejt”, deklaroi Thomas Higgins, përfaqësues i BAF-i. Balkan Açession Fund (BAF) është një fond, i cili kërkon të investojë rreth 110 milion euro në kapitale në rajonin e Ballkanit. BAF-i investon në kompani që rriten shpejt dhe menaxhohen nga grupe të forta, si dhe kanë strategji konkrete. Menaxherët e Fondit janë ish-menaxherë të Fondit Bullgaro-Rumun Amerikan të Ndërmarrjeve. Investitorët janë EBRD, FMO, DEG, BSTDB, RAEF dhe BAEF, midis të tjerëve.
12 Shkurt 2008