Skënder Gega: Fillim i vështirë, do të ketë ndryshime!
Me Rusinë dhe Portugalinë do të luajmë dy ndeshje shumë të vështira. Nëse ska optimizëm, sdo të ketë rezultate
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pak ditë më parë bëri një ndryshim thelbësor te përfaqësueset e moshave: emëroi Skënder Gegën në vend të Artan Bushatit në krye të U-21. Ish-futbollisti i Partizanit dhe i kombëtares ka zhvilluar dje dy seancat e para stërvitore me një grup prej 20 lojtarësh, ku të paktën 6 prej tyre i ka marrë nga përfaqësuesja U-19, të cilën e ka përgatitur vetë.
- Kishit më pak se një vit në krye të U-19-s, por tani drejtoni Shpresat. Çishte ky kapërcim?
- Kështu është futbolli, secili e ka qëllim në vetvete. Unë kam ardhur për të punuar, për të ecur para. Fatmirësisht, 19-vjeçarët shkuan mirë, por nuk mund të presësh gjithçka nga ata. Thjesht ishte ai momenti që u bënë ndryshime dhe mua më dhanë 21-vjeçarët. Për mua është njëlloj, kjo është puna jonë. Me 21-vjeçarët është pak më e vështirë, sepse nuk është një grup që unë e kam përgatitur, kanë problemet e tyre, por plani dhe gjithë strategjia është që gradualisht të afrohet grupi që unë kam stërvitur tek U-19.
- A ishte ky një vlerësim nga Duka punën që bëtë me 19-vjeçarët?
- Po, patjetër është vlerësim. Një punë që e marrë përsipër e bëj me pasion dhe me dëshirë për të ecur përpara. Çdo gjë nuk më vjen menjëherë, por me kalimin e kohës.
- Kur keni biseduar me presidentin për ta marrë këtë detyrë, apo ishte një vendim i tij i menjëhershëm?
- Jo, kemi biseduar më parë, sepse unë i kam shprehur qëllimet dhe arsyen përse kam ardhur të punoj në Shqipëri. Bushati u tërhoq, sepse kishte arsyet e veta dhe unë isha i gatshëm për ta marrë skuadrën dhe e mora me dëshirë.
- Shpresa është një grup shumë i vështirë, keni arritur një fitore dhe disa rezultate negative. Kjo është seanca e dytë juaja, si është impakti i parë me skuadrën?
- Problemet janë madhore, më të rëndësishme se të 19-vjeçarët. U-19-n e kam ndërtuar vetë dhe përgjegjësia ishte e gjitha imja, ndërsa ky është një brum i ndërtuar nga dikush tjetër dhe gradualisht dua të fus idenë dhe filozofinë time dhe elementët që unë kam besim, që ecin përpara. Me 21-vjeçarët është më e vështirë, sepse sot ata janë profesionistë.
- Përveç grupit që keni gjetur, shihet se keni futur disa elementë që keni stërvitur tek U-19?
- Kam afruar në ato pika ku mungesat janë më të shumta. Qaqi, Fejzullahu dhe Prençi luajtën shumë të mirë në Austri. Fabio Hoxha ranë në sy nga të gjithë në aktivitet, po ashtu edhe Deliallisi. Kam afruar edhe Kërçikun.
- Dua të ndalem pak këtu. Keni patur mosmarrëveshje me Kërçikun, e keni përjashtuar?
- Jo, skam patur asnjë mosmarrëveshje me Kërçikun, ai theu disiplinën dhe u dënua për atë pjesë, por sot është si gjithë të tjerët. 19 vjeç sapo i ka mbushur. Ne sjemi për internime, e gjithë ideja është që ai të ecë përpara. Kur erdhi momenti, unë e afrova prapë. Ai është i ndërgjegjshëm për gjërat që ndodhën.
- Pra, ju thoni se vendimi për ta përjashtuar ishte i nevojshëm në atë moment?
- Tani është me dy të verdha dhe, nëse e përsërit, merr prapë të kuqe.
- Deri ku mund të arrijë kjo Shpresë? Keni dy ndeshje përpara, ju si i parashikoni?
- Janë shumë të vështira dhe ideja është që të harrojmë të kaluarën. Nëse ska optimizëm, sdo të ketë rezultate. Koha është shumë e shkurtër, janë vetëm dy ditë në dispozicion para ndeshjes, por do të mundohemi që gjithsecili të japë maksimumin. Pas dy ndeshjeve kemi kohë më tepër dhe do të bëjmë diçka ndryshe.
- Është afruar edhe Strakosha, pra një lëvizje të federatës me ish-futbollistë që janë formuar jashtë. Mund të kishte ardhur edhe Hasi?
- Unë nuk e di për Hasin. Për Foton, që e njoh, mund të them se përveç karrierës së pasur është një njeri i mirë. Jam i kënaqur që ai është afruar te kombëtarja U-19. Sesa aftësi ka, koha do ta tregojë, por shpresoj që përderisa ka qenë pjesë e një klubi ndër më të mirët në Greqi, besoj se do ta bëjë punën e vet.
- A mund të kemi një tjetër kapërcim tjetër tuajin nga Shpresa te kombëtarja?
- Nuk e di çdo të ndodhë, por pse të mos e mendoj? Por kërkojnë të bëhen 30-vjeçarët presidentë, ndërsa unë jam gati 50 vjeç dhe kam një jetë që merrem me futboll.
Shpresa pret 4 lojtarët e Zvicrës
Përfaqësuesja U-21 ka zhvilluar dje dy seancat e para stërvitore nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar, Skënder Gega. Dje pasdite kanë zbritur në fushë 20 futbollistë, ndërsa 4 prej tyre pritet të mbërrijnë sot. Bëhet fjalë për ata që luajnë në kampionatin zviceran: Armando Sadiku, Agonit Sallaj, Irman Bunjaku dhe Mërgim Brahimi. Sot pritet që lojtarët e sipërpërmendur të jenë nën urdhrat e Skënder Gegës.
U-21: Euro 2013 Grupi 6
1. Rusia 3 0 0 10-1 9
2. Polonia 2 1 1 8-6 7
3. Portugalia 1 1 1 4-3 4
4. Shqipëria 1 0 2 7-10 3
5. Moldavia 0 0 3 3-12 0
Ndeshjet e luajtura
Shqipëri Poloni 0-3
Shqipëri Moldavi 4-3
Poloni Shqipëri 4-3
Ndeshjet e ardhshme
10.11.2011, ora 16:00 Shqipëri Rusi
14.11.2011, ora 19:00 Shqipëri Portugali
06.06.2012 Portugali – Shqipëri
12.06.2012 Rusi Shqipëri
06.09.2012 Moldavi Shqipëri
