E Diel, 1 Nëntor 2026

ERE shkëmben përvojat me Sekretariatin e Energjisë në Vjenë

Problemet me të cilat përballen firmat energjetike kombëtare, si dhe aktorët rregullatorë të energjisë në rajon u diskutuan së fundi në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë, gjatë një vizite pune të delegacionit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), kryesuar nga kryetari i tij, Bujar Nepravishta, me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Slavtcho Neykov. Burime zyrtare të ERE-s bënë të ditur se gjatë takimit me drejtues të këtij Sekretariati, u trajtuan privatizimi i sektorit të Shpërndarjes, rritja e përgjegjësive në sektorin e gazit pas hyrjes në fuqi të ligjit "Për Gazin Natyror". Roli i ERE-s rritet akoma më shumë me drejtimin 6-mujor të Komunitetit të Energjisë dhe për përmbushjen e detyrimeve të Traktatit të Energjisë, në nivel kombëtar dhe rajonal, ku diskutimi i çështjeve që lidhen me detyrimet ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë për vendet e rajonit të Evropës Juglindore, do të ndihmojnë procesin e harmonizimit të kuadrit ligjor dhe rregullator mes vendeve të Rajonit të Evropës Juglindore. Neykov deklaroi se rregullat e reja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe krijimi i Zyrës së Koordinimit të Ankandeve për energjinë në rajon, do të jenë në qendër të periudhës së mbetur për vitin 2008 nga Sekretariati i Vjenës. Gjithashtu, të dy palët diskutuan edhe rreth zhvillimit të tregut rajonal, lidhur me alokimin e kapaciteteve të interkonjeksionit, ku prezenca e statistikave të sakta dhe transparente, merr rëndësi të veçantë. Kryetari i ERE-s, Nepravishta, theksoi zhvillimet e fundit pozitive të arritura në sektorin e energjive të rinovueshme, ku ERE ka licencuar ndërtimin e 270 MW kapacitete të energjisë nga era, të cilat pritet të hyjnë në prodhim në vitin 2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›