Dy nga të arrestuarit në Shqipëri, në burgun për trafik marijuane
Dy nga anëtarët e organizatës kriminale që ka dërguar tonelata me marijuanë në Itali ndodhen në qeli në vendin tonë. Mariglen Hallka, nga Fieri, dhe Fatbardh Kapllanaj, nga Vlora, janë arrestuar disa kohë më parë gjatë operacionit “Vjosa”, ku policia shqiptare sekuestroi qindra kilogramë lëndë narkotike, të marra nga Lazarati. Prokuroria e Krimeve të Rënda doli dje me një konferencë për shtyp, duke dhënë detaje për zhvillimin e operacionit “Drita e Diellit”, të zhvilluar njëkohësisht në katër shtete. Zv/prokurori i Krimeve të Rënda, Kostaq Beluri, tha se janë ekzekutuar urdhrat e arrestuar për pesë persona. Ata janë Mariglen Hallka, Fatbardh Kapllanaj, Pilo Zanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj. “Arrestimi i tyre u bë në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr.74, të vitit 2009, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në Tiranë. Të arrestuarit janë të dyshuar për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 183/a/2 e 333/a të Kodit Penal. Hetimet për këtë procedim penal kanë filluar në datë 19.11.2009, mbi bazën e akteve të transferuara nga Prokuroria e Leçes, Itali”, tha Beluri. Sipas tij, për hetimin është bashkëpunuar nga Policia e Shtetit me sektorin kundër narkotikëve në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar.
“Faktet objekt hetimi i referohen periudhës kohore 2005-2007.
Një grup shtetasish shqiptarë, në bashkëpunim edhe me shtetas italianë dhe grekë kanë kryer veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike nga territori shqiptar në atë italian, kryesisht me gomone. Për faktet objekt hetimi, Guarda di Finanza e zonës së Puljas ka sekuestruar lëndën narkotike në gjashtë raste, kryesisht të llojit marijuanë dhe në dy raste edhe lëndë narkotike të llojit heroinë”, vijoi Beluri, duke shtuar se vlera e operacionit të djeshëm qëndron në faktin se agjencitë e zbatimit të ligjit në katër vende, Itali, Shqipëri, Greqi dhe Belgjikë kanë arritur të koordinojnë punën për të realizuar një operacion të përbashkët për arrestimin e të dyshuarve që ndodhen në territorin e katër vendeve, duke treguar vullnetin e mirë për të bashkëpunuar në luftën kundër krimit të organizuar. Në suksesin e operacionit ka dhënë ndihmesën Zyra e Bashkëpunimit Policor Italian në Tiranë (interforcë), ndërsa operacioni për ekzekutimin e urdhrave të arrestit në Shqipëri është kryer nga Drejtoria Kundër Krimit të organizuar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
#