E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni i Mynihut pajton nje ekspert terrorizmi pas kercenimeve

Tmerri nga terrorizmi ka përfshirë më të lavdishmit e futbollit gjerman.

Vetë Bajerni i Mynihut, krenaria bavareze, është detyruar të pajtojë një specialist me përvojë në çështjet e terrorizmit, pasi ekziston frika reale e një kërcënimi ndaj portierit të marrë nga Shalke, Manuel Nojer, por edhe ndaj presidentit Uli Hënes, kërcënim që vjen nga vetë grupime tifozësh të ekipit.

Specialisti i pajtuar është Volfgang Salevski, një njeri i shquar dhe misterioz që ka ndihmuar dy ish-kancelarë të Gjermanisë, Helmut Shmit dhe Helmut Kol, dhe që ka zgjidhur mbi 60 raste rrëmbimesh personi.

Do të jetë pikërisht Salevski që do të këshillojë Bajernin dhe do të negociojë, jo më me terroristë, por me tifozët e klubit. Më 2 korrik është përcaktuar një takim i ekspertit ndërkombëtar me 10 përfaqësues të tifozëve bavarezë, takim në të cilin do të marrin pjesë edhe zyrtarë, por edhe lojtarë të Bajernit.

Acarimi i tifozëve lidhet me transferimin e portierit Nojer, titullarit të Gjermanisë së Joakim Lëvit, i cili më parë ka mbrojtur portën e rivalëve të hidhur të Bajernit, pra Shalkes, ndërsa dihet mirë se dy palët e tifozëve shkojnë shumë keq me njëra-tjetrën.

Por, jo vetëm kaq, sepse kupa është derdhur përfundimisht me ndihmën financiare që Bajerni i dha rivalit të qytetit, TSV 1860 Mynih, ndërsa nuk është e tepruar të thuhet se tifozët fanatikë të dy klubeve urrehen me njëri-tjetrin.

Pas kërcënimeve të mëdha, Uli Hënes ka reaguar duke deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pasi kjo do të ishte fundi i Bajernit të Mynihut dhe ka premtuar se pavarësisht nga gjykimet e të tjerëve, në klub vendimet do të merren sipas rregullave dhe hierarkisë.

Gjithsesi, do të duhet ndihma e ekspertit Salevski, për të neutralizuar një rrezik që duket i madh. Të shikojmë se çdo të sjellë takimi i 2 korrikut me tifozët.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›