Hysi, po e jeton ëndrrën
Hysi e ka shkruar historinë, pasi të mërkurën u shpall për herë të parë kampion i Kosovës në futboll.
Realisht, ky është një sukses mjaft i madh për këtë klub, pasi vonë është themeluar – saktësisht në vitin 2002- për t’u inkuadruar pakë më vonë në Superligë. Madje, ky është trofeu i dytë në historinë e bardhezinjve, të cilët në vitin 2009 patën fituar edhe Kupën e Kosovës.
Padyshim, më meritori për këto suksese të Hysit është pronari Hysen Sadiku, i cili prejse ka themeluar këtë klub e ka ëndërruar titullin e kampionit. Dhe tani ai ndihet shumë i lumtur që djelmoshat e skuadrës së tij ia realizuan ëndrrën.
“Normalisht që po ndihem shumë mirë si kampion. Është kënaqësi për mua që brenda një kohe jo të gjatë prej themelimit të klubit ia dolëm ta fitojmë Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit”, ka deklaruar Sadiku për Express.
Hysi njihet si njëri prej klubeve që i paguan më së miri futbollistët në Kosovë fal zemërgjerësisë së Sadikut. Ai tregon se sa para i shpenzoi nga xhepi gjatë këtij kampionati për ta stolisur ekipin e tij me titullin e kampionit.
“Të jem i sinqertë, në çdo sezon i kemi shpenzuar prej 100 mijë deri në 110 mijë euro. Edhe në këtë kampionat kemi shpenzuar njëjtë. Pra, me 110 euro e mbyllëm kampionatin”, tha ai.
Mirëpo, suksesi i Hysit po kontestohet fuqishëm nga zyrtarët e Prishtinës, skuadër kjo e cila e lëshoi nga duart titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës në kohët vendimtare.
Bardhekaltrit po ankohen se u dëmtuan rëndë nga gjyqtarët, të cilët i akuzojnë se e ndihmuan Hysin të shpallet kampion.
Por, Sadiku i kundërshton këto akuza të prishtinasve. Sipas tij, Hysi me plotë meritë ia doli të stoliset me titull të kampionit.
“Më vjen shumë keq për këto ankesa të Prishtinës. Sinqerisht them se e kemi merituar titullin e kampionit, të cilin e fituam me djersë. Kritikat e Prishtinës nuk i marr fort afër zemrës, sepse e kuptoj shqetësimin e tyre, pasi ishim rivalë të drejtpërdrejtë për titull. Normalisht, ata janë paksa të zhgënjyer, sepse e humbën avantazhin prej nëntë pikëve dhe duhet kuptuar shqetësimin e tyre”, theksoi Sadiku.
“Një klubi siç është Prishtina nuk i ka hije të ankohet kështu. Ata duhet të merren me lojën e tyre. Ata thanë se referimi në ndeshjet e tyre me Trepçën dhe në finale të Kupës me Besën ishte i mirë. Atëherë pse humbën në ato dy ndeshje? Pra, gabimet e veta mos mundohen t’i arsyetojnë me akuza ndaj dikujt tjetër”, shtoi ai.
Përndryshe, Sadiku thotë se ka raporte të shkëlqyeshme me krerët e Prishtinës. Madje, ai të mërkurën e kishte ftuar edhe kryetarin e badhekaltërve, Remzi Ejupin në një aheng që e kishte organizuar klubi i tij me rastin e stolisjes me titull të kampionit.
Thotë se nuk i ka mbet hatri që Ejupi nuk iu përgjigj pozitivisht asaj ftese. Madje, Sadiku tregon se ka nostalgji për Prishtinën.
“Unë e respektoj këtë klub. Dikur unë kam qenë sponsor i saj. Në kohën kur Fadil Vokrri ishte drejtor, lojtarëve të Prishtinës iu patën vonuar pagat dhe unë i pata kryer obligimet ndaj tyre. Gëzohem që kam raporte të mira me çdo klub kosovar dhe me asnjë klub s’e kemi pas asnjë përplasje”, pohon Sadiku.
Megjithatë, Sadiku thotë se tani po e shijon rastin e të qenit kampion. I tillë me skuadrën e tij synon të jetë edhe në sezonin e ardhshëm.
“Por nuk duam me çdo kusht të bëhemi kampion. Do të përpiqemi në mënyrë korrekte ta arrijmë titullin, siç bëmë sivjet, por jo me çdo kusht”, thotë Sadiku.
Mirëpo, Gjykata e Qarkut në Prishtinë para pak kohësh e ka dënuar Hysen Sadikun me katër vite e gjysmë burgim për rastin e falimentimit të Bankës Kreditore të Prishtinës. Ai thotë se ky fakt nuk do ta zbehë të ardhmen e klubit të tij.
“Ndihem plotësisht i pafajshëm nga akuzat. Kjo nuk e rrezikon të ardhmen e Hysit. Edhe nëse ndodh më e keqja, kam njerëz prapa që do të përkujdesen për klubin”, potencoi ai.
Sadikun e karakterizon fakti se assesi nuk bëhet rehat me trajnerë, të cilët i ndërron shumë shpesh. Pas largimit të Genc Hoxhës në muajin mars, drejtimin e Hysit e pati marrë Fadil Ademi.
Atëherë as vetë Sadiku nuk priste që Ademi sivjet do të mund ta fitojë titullin e kampionit, duke paralajmëruar se nga sezoni i ri do ta angazhojë ndonjë trajner të huaj.
Por, tani kur ekipi i tij u shpall kampion me Ademin, ky i fundit i ka hy në qejf Sadikut. Andaj bosi i Hysit po mendon që këtë detyrë t’ia besojë edhe në sezonin e ardhshëm Fadil Ademit.