E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionati italian- Samir Ujkani prane ngjitjes ne Serine A

Një tjetër shqiptar është fare pranë Serisë A italiane. Jo më Lorik Cana, i cili duhet të përfundojë një akord me Gallatasarajin për të qenë i Lacios. Bëhet fjalë për portierin Samir Ujkani, i cili barazoi mbrëmë 0-0 në fushën e Padovës me Novarën e tij dhe është shumë pranë ngjitjes për në “A”.

Kosovari i kombëtares shqiptare udhëtoi me të shpejtë që nga ndeshja në Bosnjë-Hercegovinë për të qenë gati për finalen e plej ofit në Serinë B dhe u duk se nuk kishte humbur asgjë nga shkëlqimi i tij. Pritjet e Ujkanit në të dyja pjesët ishin vendimtare për të ruajtur portën e tij të paprekur, siç ishte edhe fati kur topi goditi shtyllën që në minutën e 4-ët.

Në përgjithësi Padova pati iniciativën duke krijuar disa mundësi shënimi, por gjithnjë gjeti në rrugën e saj numrin 1 të portës, ndërsa miqtë u kujdesën më shumë për të mos pësuar gol në mënyrë që ndeshja e kthimit më 12 qershor, pra pas dy ditësh, në stadiumin “Piola” të jetë më e lehtë.

Në gjysmëfinalet e plej ofit, Novara eleminoi Rexhinën me dy barazime, 3-3 në Rexho dhe 2-2 në Novarë, ndërsa Padova kaloi Varezen duke fituar 1-0 dhe duke barazuar 3-3.

Një ngjitje e mundshme e Ujkanit në “A” do të bënte që numri i shqiptarëve në elitën e futbollit italian të shkonte të paktën në dy, sepse Erion Bogdani mbetet i palëvizur, ndërsa shpresat janë që të jenë 3, bashkë me Lorik Canën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›