E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu, fitore meekipin e dytë të PSG

ANTALIA - Skënderbeu i Korçës ka zhvilluar sot një miqësore luksi në Antalia, duke mundur 2-1 ekipin francez të Paris Sent Zhermen. Në fakt, nëse do të ishte skuadra e parë e PSG-së, çdo gjë do të ishte sensacionale, por në fushë ka qenë skuadra B. Përpos kësaj, fitorja me një ekip elitar në Evropë duket se ka shërbyer jo pak për t’u dhënë moral korçarëve, në fazën e tyre përgatitore në Antalia.

Ndeshja e sotme ishte miqësorja e dytë në tokën turke dhe ka përfunduar me sukses. Paris Sent Zhermen kishte në program sfidën me Lens në Kupën e Francës dhe për këtë arsye ka patur në fushë ekipin e dytë për të luajtur ndaj Skënderbeut. Përsa i përket ndeshjes, ajo që spikat është goli i shënuar nga Sokol Cikalleshi. Ish-sulmuesi i Besës u ble në merkaton e janarit nga klubi korçar dhe miqësorja e djeshme tregoi se ai mbetet një nga futbollistët më me të ardhme në futbollin shqiptar.

Ndërkohë, goli tjetër i skuadrës korçare mban firmën e Joliç, një nga lojtarët kryesorë të fazës së parë. Skënderbeu është edhe skuadra që ka bërë më shumë lëvizje në muajin janar, duke marrë futbollistë tepër të njohur në kampionat, duke nisur nga Muzaka, Cikalleshi apo Arapi. 

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›