E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu gjen fitoren, shpëton pankina e Duros

TIRANE- Skënderbeu ka gjetur fitoren e parë për këtë sezon, duke mundur 3-1 Shkumbinin në Korçë dhe duke shpëtuar nga shkarkimi trajnerin Shpëtim Duro. Skuadra korçare këtë herë ka hyrë në fushë me një tjetër mentalitet, duke zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë, përballë një ekipi që në transfertë nuk duket aspak i frikshëm. Ndeshja e djeshme ka qenë një çlirim për trajnerin dhe drejtuesit, pasi në dy takimet e para, kampionët në fuqi të vendit kishin arritur vetëm 2 pikë. Gjithçka u vendos që në pjesën e parë, kur në fillim Kërçiku e më pas Bratiç, kaluan në avantazh të dyfishtë Skënderbeun. Në pjesën e dytë, peqinasit kanë rritur disi ritmin dhe në minutën e 72-të, morën një penallti që u shndërrua në gol nga Dervishi. Gjithsesi, minutat e vuajtjes për korçarët morën fund në kohën shtesë, kur kapiteni Bledi Shkëmbi realizoi golin e tretë dhe atë që vulosi përfundimisht takimin.

APOLONIA
Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Apolonia dhe Laçi kanë ndarë nga një pikë mes tyre në Fier. Sfida ka dhuruar momente të shumta tensioni, pasi të dyja skuadrakanë zbritur në fushë për të kërkuar fitoren. Pas një pjese të parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, në të dytën ishin laçianët ata që shënuan të parët. Një gol që ka shkaktuar irritimin e tifozerisë vendase, teksa në fushë janë hedhur sende të forta dhe shishe me breshëri, sidomos mbi anësorin Gerard Qirici. Kjo ka bërë që sfida të ndërpritej për gati 4 minuta nga arbitri kryesor Kridens Meta. Menjëherë pas startit, Apolonisë i janë dashur pak sekonda për të barazuar. Topi doli në
goditje këndi dhe pas krosit në zonë, topi i devijuar nga mbrojtja, u dërgua në rrjetë nga talenti Reinaldo Rama. Barazimi ka mbetur në fuqi deri në fund edhe pse vendasit kanë kërkuar me ngulm të marrin 3 pikët.

SOT
Pas dy ndeshjeve të djeshme, java e tretë e Superligës do të vijojë sot me 5 takimet e tjera, ku vëmendja pritet të jetë e përqendruar në Shkodër. Vendasit e Vllaznisë do të presin Teutën kryesuese, në një sfidë aspak të lehtë për të dyja skuadrat.

Ndërkohë, ndryshe duken gjërat për Tiranën, që do të ndeshet në kryeqytet me Pogradecin. Bardheblutë duken në një moment të mirë edhe pse fitorja me Kastriotin ka qenë disi me fat. "Me Pogradecin edhe barazimi është një rezultat shumë i keq", deklaroi dje trajneri Rubio Sançez. Një tjetër ndeshje e fortë pritet të jetë ajo mes Flamurtarit dhe Kastriotit, që do të luhet nën masa tepër të forta sigurie.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›