E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra i varfer mes pasanikeve

Transferimi i Zlatan Ibrahimoviç te Paris Seint Zhermen bëri shumë bujë. Jo vetëm sepse kjo ishte tradhëtia e radhës e suedezit, por mbi të gjitha për rrogën që ai do të përfitojë në kullën Eifel. Opinioni publik dhe politikanët francezë u zemëruan me faktin që sheikët e PSG-së do ta paguajnë 14 milionë euro në vit sulmuesin suedez.

Edhe pse me rrogën vjetore te Ibrës mund të blihen 7 Bugatti Veyron Super Sport apo 17.199 akullore të mbuluara me ar 23 karatë, futbollisti 30-vjeçar nuk është në krye të listës së atyre që fitojnë më shumë në botë.

Në Los Anxhelos banon Xhizel Bundshen, modelja më e paguar në botë, që në vitin 2012 ka përfituar 36 milionë e 777 mijë euro. Me llogari të thjeshtë del se super-modelja e “Victoria’s Secrets” përfiton 2.27 herë më shumë se Ibrahimoviç.

Në lojën e krahasimeve mund të shkohet edhe më tej, duke krahasuar rrogën e Ibrahimoviç me ato të personaliteteve të tjera dhe sipas klasifikimit të revistës “Forbes” për më të pasurit deri në moshën 30 vjeçare, kupton se Lady Gaga përfiton 4 herë e gjysmë më shumë se sulmuesi i PSG-së, falë të ardhurave prej 73,5 milionë eurosh në vit.

Nga kjo, ndoshta të vjen të thuash “i shkreti Ibrahimoviç”. Por, ka edhe më keq. Sulmuesi kalohet në klasifikim edhe nga adoleshenti Xhastin Bibër që përfiton 43,3 milionë euro në vit. Nga sportistët i pari renditet kampioni filipinas i boksit, Meni Pakuiao me 40,7 milionë euro. Më pas vijnë LeBron Xhejms me 39,2 milionë, Lionel Mesi me 33 milionë, nga të cilat 11 vetëm nga rroga te Barça, Tronketi Provera me 22,2 dhe Samuel Eto’o që te Anzhi përfiton 20,5 milionë euro.

Ibra merr rrogë më të lartë se Kristiano Ronaldo (13 milionë euro neto te Reali), Frenk Riberi 10 te Bajerni, Çavi e Iniesta 7 te Barcelona. Gjithsesi, duket se suedezi mbetet i “varfër” mes të pasurve, një tjetër etiketim që nuk do ti pëlqejë, pas atij të njohur botërish si “lojtar i madh me të vegjlit, por i vogël me të mëdhenjtë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›