Real Madrid rrezikon falimentimin

Vera e vitit 2012 ka qenë për rekord negativ te Reali i Madridit. Ndryshe nga çdo vit tjetër, klubi merengue ende nuk ka blerë asnjë lojtar. Zero është numri i blerjeve të realizuara, ndërsa objektivi i vetëm duket Luka Modriç. Skuadra “galaktike” nuk arrin më të afrojë yje dhe gjithçka lidhet me krizën financiare që ka përfshirë Spanjën.
Madje, problemet e bankave iberike kanë bërë të nisë alarmi se Reali i Madridit ndodhet në prag të falimentimit. Bomba vjen nga mediat spanjolle, pas një analize të gjendjes financiare të klubit. Të ardhurat nga trofetë, biletat dhe sponsorët nuk mund ti mbulojnë kurrësesi shpenzimet marramendëse të viteve të fundit.
Përkundrazi, klubi mbretëror është i zhytur në borxhe. Presidenti Florentino Perez ka afruar emra të mëdhenj në “Santiago Bernabeu”, si Kristiano Ronaldo, Ozil, Benzema apo Kaka, por ditët kur paratë investoheshin pa kufi dhe ku synohej patjetër buja mediatike me blerje të mëdha tashmë i takojnë së kaluarës.
Kriza lidhet në mënyrë të drejtëpërdrejtë me kompaninë e ndërtimit “ACS Construçiones”, e cila zotërohet nga presidenti i klubit, Perez dhe që është e treta në botë për nga kapitali. Por, në emër të kësaj kompanie ekziston një faturë borxhi me vlerë 900 milionë euro te banka spanjolle, “Bankia”.
Kjo e fundit është shtetëzuar prej krizës, ndërsa vetëm borxhi i Realit të Madridit kap shifrën marramendëse të 500 milionë eurove. “Bankia” i ka kërkuar ndihmë Bankës Qendrore Europiane, ndërsa si kolateral janë përdorur pikërisht futbollistët madrilenë.
Ende nuk dihet nëse garancia me emrat e Kristiano Ronaldos, kakasë apo yjeve të tjerë do ti mjaftojë “Bankias” që të sigurojë fonde të mjaftueshme dhe të evitojë falimentimin. Gjithsesi nëse kjo ndodh, rrezikon edhe Reali i Madridit, sepse në skenarin më të keq parashikohet edhe falimentimi i klubit të mirënjohur madrilen.