E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu mund Kamzën, qëndron mes elitareve



Leonard Karaj

Një gol i realizuar nga Klodian Asllani në minutën e 2-të i dha Skënderbeut fitoren minimale, por mjaft të rëndësishme ndaj Kamzës në “play out”-in e zhvilluar dje në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit, duke mbetur kështu sërish në Superiore për sezonin 2010-2011. Faktikisht mund të konsiderohet edhe si një çështje eksperience, ngaqë Kamza nuk e ka shijuar asnjëherë Superligën, ndërsa Skënderbeu ka luajtur aty për pjesën më të madhe të viteve të tij. Gjithsesi vlen të thuhet se kamzalinjtë luajtën si të barabartë, duke akuzuar në disa raste të dyshimta edhe gjykimin e Bardhyl Pashajt. Ky i fundit nuk ka ndëshkuar sipas drejtuesve të Kamzës, në disa raste me penallti dy prekje të topit me dorë nga ana e futbollistëve të Skënderbeut. Takimi nisi me tatëpjetë për Kamzën që në minutat e para, kur në sulmin e parë të Skënderbeut, Klodian Asllani shënoi golin e ndeshjes, duke ngritur në qiell tifozerinë e shumtë korçare në shkallët e stadiumit. Më pas Skënderbeu i kushtoi më shumë rëndësi mbrojtjes, duke u munduar t’i mbajë kamzalinjtë sa më larg kuadratit të portës së vet. Gjithsesi, skuadra e Perlat Mustës pati rastet e veta, duke nisur që me Klevis Dalipin, Saimir Patushin dhe me Gjokejan. Dhe në rastin kur këta gjuanin mirë, ishte portieri Llapanji, që shpëtonte portën e korçarëve. Vlen të theksohet se kamzalinjtë, ndoshta edhe për shkak të presionit dhe pësimit të golit, luajtën një lojë në kufijtë e nervozizmit. Kjo bëri që lojtarët të mos e qarkullonin si duhet topin dhe të mos gjenin kombinimet e duhura për të barazuar rezultatin. Aksionet e ndërmarra nga Kamza shuheshin që në hyrje të zonës, ndërsa Skënderbeu u mundua që të shfrytëzonte kundërsulmet me anë të Guerrip, Asllanit dhe Malindit. Më pas ndeshja u përshkua nga një lojë e rëndë dhe pasime të gabuara, kryesisht në mesin e fushës. Deri në harkun e minutës së 80-të dy trajnerët bënë edhe zëvendësimet e tyre, por që nuk solli ndryshim në rezultat.

Skënderbeu-Kamza 1-0

Shënues: Asllani 2’
Kartonë të verdhë: Asllani, Lako/ Patushi, Osmani, F.Tafaj, Baze
Stadiumi: “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasan
Gjyqtarë: Bardhyl Pashaj/ A.Guçe dhe A.Lamçe
Skënderbeu: Llapanji, Markoviç, Lako, çipi, Doku (Leskarovski 25’), Grizha, Roshi, Nesteroviç, Asllani, Malindi, Guerrip. Trajner: Mirel Josa
Kamza: Osmani, Renxa, F.Tafaj, Ndoni, Patushi, Toma, Gjokeja, E.Tafaj, Kryemadhi, Tetova, K.Dalipi. Trajner: Perlat Musta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›