Flamurtari, me formacion ndryshe ndaj Kamzës në kupë
Brahja është i dëmtuar, mund të lihet pushim Sakaj, ndërsa do tu bëhet vend nga fillimi Beqirit, Telushit, Begajt dhe Shehajt
Në Vlorë e marrin serozisht Kupën e Shqipërisë. Kompeticioni i dytë për nga rëndësia në vend, duket se ka tërhequr vëmendjen te Flamurtari dhe mundësia për të fituar një trofe këtë sezon futbollistik kërkohet edhe në kupë. Aktualisht te Flamurtari, duke parë edhe situatën në kampionat, akoma nuk ka një objektiv të përcaktuar për kampionatin, ku edhe vetë trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, ka konfirmuar se për të saktësuar një Flamurtar pretendent, duhet të kalojnë edhe disa javë kampionat.
Edhe gjatë stërvitjes së ditës së martë, në prag të takimit ndaj Kamzës, stafi teknik ka kërkuar maksimumin nga futbollistët, pavarësisht se bëhet fjalë veç për ndeshje kupe. Pa harruar aspak kampionatin, tek Flamurtari duket se po mendojnë të luajnë në të dy frontet dhe zërat flasin për rikthim të Flamurtarit në merkato gjatë muajit janar, që lidhen pikërisht me ambiciet e tij. Por rruga te finalja e kupës është e gjatë, megjithatë, në Vlorë kërkojnë që në këtë sezon të mos dalin duarbosh.
Mungesat Ndeshja përballë Kamzës është quajtur shumë e rëndësishme dhe vetë Lutaj ka saktësuar se kërkon të mbyllë sa më shpejt kualifikimin për në turin tjetër. Do të ketë ndryshime në formacionin vlonjat për ndeshjen në kupë me Kamzën. Veç Brahjes, që duket se do të qëndrojë sërish jashtë ekipit, pushim për këtë sfidë pritet të lihet edhe kapiteni i ekipit, Artan Sakaj.
Ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka udhëtuar drejt Durrësit, ku edhe kanë kaluar natën. Nuk dihet pse Sakaj mund të lihet jashtë, por gjithçka argumentohet me faktin e dhënies së një pushimi të shkurtër të kapitenit, që ka luajtur deri tani minutat e plota në kampionat.
Ndërkohë, për ndryshimet në formacion, ato pritet të nisin që nga porta, me aktivizimin titullar të Moçkës, në mbrojtje do ti lihet vend edhe mbrojtësit Beqiri, ndërsa në mesfushë Telushi dhe Begaj pritet të aktivizohen nga fillimi. Ende nuk dihet sulmi, por duket se Shehaj e ka të sigurt një vend titullari në formacionin e Flamurtarit kundër Kamzës.
Kuqi: Të dy kompeticionet kanë vlerësim të njëjtë
Pas dy sezonesh ku ka luajtur mes titullarit dhe stolit, këtë kampionat mesfushori i Flamurtarit, Taulant Kuqi, është nga të paktët lojtarë të Flamurtarit që nga trajneri i ekipit, i është besuar gjithmonë fanella e titullarit. Në pesë javë kampionat, Kuqi nuk ka munguar në asnjë takim, ndërsa qëllimi tij është të vijojë me këtë ritëm edhe në ndeshjet e radhës.
Përpara se të mendojmë për ndeshjen e vështirë në kampionat përballë Vllaznisë, unë dua të qëndroj në mendimin që ka i gjithë ekipi, por edhe trajneri ynë, se qëllimi është të përfundojmë me sukses sfidën përballë Kamzës në Tiranë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme edhe kjo e kupës, ndaj mendojmë që duhet ta kalojmë me sukses edhe këtë përballje. Duhet që ne futbollistët që jemi pjesë e Flamurtarit të mendojmë se çdo ndeshje përbën vështirësi dhe është shumë e rëndësishme.
Në asnjë moment nuk mund të themi që ndaj këtij kundërshtari mund ta kemi më të lehtë. Ndaj të kalojmë me sukses Kamzën, pastaj të flasim për Vllazninë. Dihet se ekipi shkodran është, ashtu si Flamurtari, mes ekipeve pretendentë, ndaj ka shumë rëndësi, vlen më shumë se tri pikë. Por më mirë të flasim për Vllazninë dy ditë më vonë, pasi të luajmë kupën njëherë, – përfundon mesfushori i Flamurtarit, Taulant Kuqi.
