Përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit, qeveria maqedonase në krizë
Në përvjetorin e nëntë të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, mes pikëpyetjeve së zbatimit të saj, qeveria maqedonase është në krizë dhe rrezikon të përçahet. Koalicioni qeveritar mes VMRO-DPMNE dhe BDI mund të përçahet gjatë muajit shtator dhe pas kësaj të formohet një qeveri teknike, e kryesuar nga një akademik maqedonas. Kështu bëjnë të ditur mediet maqedonase, sipas të cilave plani në fjalë është hartuar nga vetë partia e kryeministrit Nikolla Gruevski. Sipas burimeve, mbi këtë plan janë informuar edhe liderët e vendeve perëndimore, mes të cilëve edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Shkak për hartimin e tij, shtojnë më tej burimet, është bllokimi i kontestit të emrit dhe bllokimi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Një tjetër debat ekziston në Maqedoni në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sot, kur shënohet përvjetori i nëntë i miratimit të saj, ende nuk është e qartë nëse ka arritur të gjejë zbatim të plotë në institucionet shtetërore. Drejtuesit e Sekretariatit për implementim të dokumentit kornizë, që solli paqen pas konfliktit të armatosur shprehin mendime të ndryshme në lidhje me këtë çështje. Abdylaqim Ademi, zëvendëskryeministër përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, vlerëson se në sajë të Marrëveshjes, shqiptarët e Maqedonisë kanë arritur të marrin atë që u takon. “Si progres që mund të theksohet procesi i decentralizimit, i cili paraqet një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Është miratuar ligji i ri për komunat, përmes të cilit komunat kanë kompetenca më të mëdha. Gjithashtu mund të theksohet progresi në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Nëse gjatë vitit 2000, shqiptarët ishin të përfaqësuar vetëm me tre për qind, sot ata janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore me rreth 20 për qind”, thekson Ademi. Por me këtë mendim nuk pajtohet Imer Selmani, ish-zëvendëskryeministër përgjegjës për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, shqiptarët punësohen formalisht në administratë, por realisht rrinë në shtëpi dhe marrin pagesë si ndihmë sociale. “Aspekti adekuat i shqiptarëve në postet kyçe është i papërfaqësuar. Sot, nëse shohim pozicionet kryesore të shtetit, presidentin e shtetit, kryeministrin, ministrin e Punëve të Brendshme, atë të Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, pastaj Guvernatorin e Bankës Popullore, kryetarin e Këshillit Gjyqësor si dhe shumë pozicione të tjera, thjesht nuk ka asnjë shqiptar në këto pozicione kyçe”, thotë Selmani. Sipas tij, problem në vete paraqet dhe mospërdorimi në praktikë i gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. Ndërkohë, Vllado Popovski, njëri nga hartuesit e Marrëveshjes së Ohrit, aktualisht këshilltar i kryeministrit Gruevski, vlerëson se zvarritja e zbatimit të Marrëveshjes ka të bëjë me politizimin e skajshëm të dokumentit kornizë, i cili, jo rrallëherë, nga drejtuesit e partive politike përdoret si mekanizëm për luftë politike. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të viti 2001 dhe implementimi i saj duhej të përfundonte që në vitin 2004.
Mbledhja e OKB-së, Thaçi: “Kosova është e përgatitur”
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar se vendi po përgatitet seriozisht për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që do mbahet më 14 shtator. Sipas komunikatës së qeverisë së Kosovës, Thaçi për këtë temë ka folur në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Megjithatë në komunikatë nuk janë dhënë detaje të përgatitjes së qeverisë kosovare për këtë mbledhje të OKB-së, ku deri tani, zyrtarisht, vetëm Serbia ka paraqitur një rezolutë. “Pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë respektoi vullnetin e popullit të Kosovës dhe legjitimoi shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, presim të vijnë edhe njohje të reja nga shumë shtete të botës” citohet Thaçi në komunikatën e qeverisë së Kosovës. Ndërkohë ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç vazhdon fushatën e tij të lobingut për të marrë sa më shumë mbështetje për rezolutën serbe na Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Sipas të përditshmes serbe “Blic”, Jeremiç, këto ditë ka zhvilluar takime të shumta për të garantuar shumicën në asamble lidhur me draftin që dënon shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe kërkon negociata të reja për statusin e saj. Sipas burimeve të gazetës, fakti që ende asnjë vend nuk e ka njohur Kosovën edhe pas shpalljes së mendimit të GJND-së, e inkurajon Beogradin të kundërshtojë përpjekjet në këtë drejtim. Ndërkohë shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni deklaroi dje se askush nuk duhet të shqetësohet në Kosovë, për faktin se nuk ka njohje të reja për momentin. Sipas tij, shumë shpejt do të nisë një valë e re njohjesh, pasi ka marrë premtime nga dhjetëra vende të ndryshme.
Propozimi për Veriun e Kosovës, të ndiqet modeli i Tirolit Jugor
Për zgjidhjen e problemeve për Veriun e Kosovës mund të ndiqet modeli i Tirolit Jugor, në Itali. Kështu kanë deklaruar burime diplomatike, të cilat citohen nga mediat kosovare. Sipas tyre, modeli në fjalë ka kohë që po diskutohet në qarqet diplomatike, ndërkohë që edhe qeveria serbe e ajo kosovare kanë dhënë sinjale pozitive. Në bazë të këtij modeli parashikohet edhe modifikimi i paketës “Ahtisari”, në mënyrë që pjesa veriore e Kosovës të ketë më shumë autonomi financiare dhe kompetenca qeverisjeje. Sipas burimeve, garant për pjesën veriore do të jenë si Serbia ashtu edhe Kosova. Tiroli Jugor, i njohur ndryshe si Alto Adixhe, është një provincë autonome në veri të Italisë, në kufi me Austrinë, e populluar kryesisht nga popullsi gjermanfolëse.
Jepet me koncesion aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës
Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës është ndërmarrja e parë e madhe publike e Kosovës, e cila nga dje është nën administrimin e një kompanie të huaj, kosorciumit francezo-turk, “Limak Aeroports de Lyon”. Në marrëveshje, e cila u nënshkrua dje, specifikohet se gjatë 20 vjetëve të ardhshme ky konsorcium parashikohet të investojë në aeroport rreth 100 milionë euro në ndërtimin e një terminali të ri dhe në rregullimin e infrastrukturës ku do të ofrohen shërbime më të mira për të gjithë pasagjerët që do të udhëtojnë. Po ashtu nga të hyrat e aeroportit, buxheti i Kosovës do të përfitojë 39.42 për qind gjatë 20 viteve që do të operojë konsorciumi francezo-turk. Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj para gazetarëve theksoi se kjo marrëveshje është tepër e rëndësishme, pasi buxheti i Kosovës mund të arrijë shifrën deri në 400 milion euro.
Bosnjë
Operacion i policisë ndaj myslimanëve radikalë
Zyrtarët e entitetit serb të Bosnjës deklarojnë se policia ka bastisur shtëpitë e personave që dyshohen se janë myslimanë radikalë, “Wahabist”. Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme të Republikës serbe të Bosnjës tha se policia ka kërkuar në 6 lokacione në Novi Grad dhe Prijedor. Bëhet e ditur gjithashtu se disa persona janë marrë në pyetje. Në muajin qershor ishte raportuar për vrasjen e një oficeri policie të Bosnjës pas një sulmi që dyshohet se është bërë nga wahabistët radikalë.
Selanik
Sulmohet me bombë konsullata turke
Persona të panjohur sulmuan me bomba artizanale konsullatën turke në Selanik të Greqisë. Policia greke tha se ngjarja ndodhi pas orës 4:00 të mëngjesit të djeshëm. Njëra prej tyre shpërtheu duke dëmtuar pjesën e përparme të ndërtesës. Menjëherë në zonë mbërritën zjarrfikësit që mundën të fikin flakët e zjarrit. Ndonëse polici i shërbimit jashtë ndërtesës së konsullatës ishte në vendroje, ai nuk reagoi ndaj grupit të sulmuesve për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Roja raportoi se sulmuesit ishin një grup, ndoshta anëtarë të organizatave të ekstremit të djathtë.
13 Gusht 2010