Ski, Tola, shqiptari i vetëm në “Vankuver 2010”
TIRANë- Nga datat 12-25 Shkurt 2010, në Vankuver te Kanadasë do të mbahen Lojërat Olimpike Dimërore të radhës. Shqipëria, e cila merr pjesë për herë të dytë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, do të përfaqësohet në “Vankuver 2010” vetëm me skiatorin Erjon Tola. Skiatori shqiptar i lindur në Tiranë në 15 dhjetor, 1986 aktualisht jeton dhe stërvitet në Cervino (Itali) ku u transferua me familjen e tij në moshën 9-vjeçare. Në Vankuver, Tola do të garojë në tre gara në kategorinë ski alpine. Bëhet fjalë për slalomin gjigand, slalomin e kombinuar dhe dishezë e lirë. Përfaqësimi i parë i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore ka qenë në “Torino 2006”, ku sportisti Erjon Tola fitoi kualifikimin për pjesëmarrje. Në Itali ku punon edhe si trajner skish, Tola ka fituar një sërë aktivitetesh, ka ardhur në Shqipëri disa herë ku ka konkurruar në disa aktivitete të organizuar në zonat malore të Dardhës dhe Voskopojës në Korçë. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me marrjen e ftesës nga CIO për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore “Vankuver 2010”, e cila iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm të KOKSH, Stavri Bello, ka nisur punën përgatitore për pjesëmarrjen në këto lojëra. KOKSH gjithashtu ka krijuar mundësinë nëpërmjet Solidaritetit Olimpik që sportisti Erjon Tola të përfitojë Bursën për Sportist, për të siguruar përgatitjen optimale për në Lojërat Dimërore. (d.b/BalkanWeb)