E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skicë për një manifest në pragfushatën elektorale

Ndriçim Kulla 

Njëra nga gjërat më të vështira në jetën e çdo individi, ashtu si dhe në jetën e politikës, është “të qenit syçelët mbi atë që ndodh e që ndoshta mund të ndodhë, në vijim të asaj që themi apo fshehim, parashikojmë ose anashkalojmë, bëjmë apo dëmtojmë. Është e vështirë, sepse jo gjithmonë arrijmë t’i bindim personat të cilëve u drejtohemi, e jo gjithmonë bindemi dhe vetë për atë që bëjmë a mendojmë. Aq më tepër që diçka e tillë është edhe e dhimbshme, pasi në botë fryn shumë erë dhe tundimi më njerëzor në rrethana të tilla është mbyllja e qepallave. Mirëpo syçelësia është e domosdoshme qoftë në jetesë qoftë në veprim, sepse realitetin lipset ta shohim në të gjitha veçoritë e tij, nëse nuk duam ta vuajmë si një dënim dhe fatalitet.
Një fushatë elektorale që nuk ka në qendër të vet, si nevojë të brendshme syçeltësinë, është një fushatë e destinuar të mos jetë e vërtetë, një fushatë që nuk ndihmon të kuptojmë Shqipërinë që po jetojmë, e që kësisoj rrit akoma më shumë frikën e pështjelluar që tashmë provojmë. Është tek e fundit një fushatë e gëlltitur nga propaganda, e dihet që propaganda synon ta paraqesë produktin e vet si të përsosur, të paprekur në asnjë lloj mënyre nga molepsja e eksperiencës negative dhe të mangët nga alternativat e vlefshme. Propaganda, në përkufizimin e vet, i fashon sytë e i bën thirrje imagjinatës, fantazimit të një realiteti që nuk ekziston. Ndaj, domosdoshmërisht lipset ta shmangim që në rrënjë rrezikun më të madh që ka filluar; themelimin e fushatës elektorale mbi propagandën, në të dyja kampet. Një propagandë që mund të jetë edhe shumë e aftë, e ndoshta edhe fituese, por që ndihmon pak elektoratin të shohë e të përgatisë të ardhmen, pasi e ardhmja është e mbrujtur në realitet nga shumë gjëra që propaganda ia heq shikimit të saj, e madje ia mban edhe të fshehura.
Propaganda është përcaktuar edhe si “krahu ekzekutiv i një qeverie të padukshme”. E politikani që sot abuzon me të, duhet të ketë ambicione të ngjashme: të qëndrojë i “padukshëm” ndaj elektoratit, edhe kur krahu i tij ekzekutiv, duke vepruar, shkakton entuziazëm të fortë demokratike. Natyrisht që e ardhmja së fundi do të vijë, por ndërkaq ne si elektorat rastin për ta diskutuar dhe ndikuar në avancë, tashmë do ta kemi humbur. Ja, pse nevojitet syçelësi për kohën që po kalojmë, sepse kushtëzon kohën që na pret dhe çasti i fushatës elektorale është mundësia ideale për ta ushtruar këtë syçelësi. E kjo sepse propaganda është vetëm Shila e politikës në rrugëtimin tonë drejt kësaj të ardhme. Karidba e shoqërisë sonë është sindroma e “humbësit radikal”.
Për të kuptuar sa më mirë natyrën e kësaj krize që po kalojmë, duhet së pari të rreshtim së përdoruri fjalën krizë. Kriza nënkupton diçka të beftë e të qark-përcaktuar, ndërsa nëpër fjalorët (e mjekësisë), ajo përshkruhet si një “lindje apo acarim i papritur i fenomeneve të ethshëm sëmundjeprurës, por të një kohëzgjatjeje të shkurtër”. Kriza është gjithashtu edhe një eufemizëm, pasi përcakton se i gjithë rrjeti indor përreth është i shëndetshëm, vetëm pjesa që i takon asaj duhet hequr. 
Ndaj do të qe më mirë të flisnim për një sëmundje, për një të keqe të lidhur jo me një forcë të vetme të ideologjizmit, por për një patologji që godet një pjesë të madhe të klasës politike ose asaj drejtuese të vendit, të kuptuar në termin e gjithkujt që ushtron qoftë edhe tërthorazi përgjegjshmërinë e vet: aktorët ekonomikë, intelektualët, analistët. Mirëpo, është frika e mosndryshimit, aq thellë rrënjosur te shoqëria jonë, ajo që të sjell ndër mend atë sindromë të çuditshme të humbësit radikal të përshkruar nga Erzensberger. “Te humbësi radikal”, vëzhgon shkrimtari, duke cituar filozofin Odo Marquard, “deziluzioni rritet pas çdo progresi, sepse aty ku progreset civile janë efektivisht të suksesshëm dhe eliminojnë realisht një të keqe, shumë rrallë arrijnë të shkaktojnë entuziazëm, pasi vëmendja përqendrohet në të këqijat që mbeten. Kështu, sa më shumë negativiteti zhduket nga realiteti, aq më nerva-ngacmues bëhet negativiteti që mbetet”. Ja, pse humbësi radikal është i pakënaqur për çfarëdolloj të tashme, duke ushqyer kështu pareshtur përçmimin antipolitik të politikës.
Mirëpo një përçmim i tillë ka pasoja të pakthyeshme në humbjen e rasteve të shëndoshjes nga kriza që po kalojmë, e të mundësive që fal momenti i zgjedhjes në një fushatë elektorale. Të sfilitur në këtë rrugëtim nga kapërcimi i vështirë i këtyre dy shkëmbinjve të stërmëdhenj rrugëzënës, propagandës dhe abstensionizmit (shënjues i antipolitikës), të shtrënguar të provojmë bashkëjetesën e këtyre dy dimensioneve të veçantë të kohës, një të shkuare që na ka masakruar iluzionet dhe një të tashme të rëndë, mbytëse, që nuk lë më vend për to, ne kemi humbur gjënë më të rëndësishme që duhet ta karakterizojë çdo fushatë elektorale: shijen e të ardhmes dhe kapacitetin për ta menduar, projektuar dhe formësuar atë me një shikim perspektiv, e kësisoj, vërtet me shpresë. E kjo, sepse për klasën tonë politike ekziston problemi i thellë i maturitetit, ose i mosnxënies së faktit se një politikan duhet të mendojë së madhi, duhet të shohë nëpër horizonte ambiciozë, me frymëmarrje të gjerë e të mos kërkojë vetëm avantazhet e çastit, qoftë edhe të legjislaturës së re, por pak të dobishme për rritjen e vendit. E kjo sepse në demokraci, zgjedhjet duhen pare si një etapë kalimtare, jo si gjykimi i Apokalipsit. Të sëmurë nga menjëhershmëria e një gjykimi të paduruar dhe të ngarkuar nga eksperienca e një politike të menduar si të pandryshueshme, ne kemi humbur intuitën e thelbit të kohës: qenien e saj, hapësirën e hapur ndaj një shumëfishmërie të ardhmesh, qenien e saj të mbrujtur jo nga opinione e verdikte të paracaktuar, por nga veprime dhe përgjegjshmëri të drejtuara nga ne. Ja, këtë kohë të rigjetur duhet të na kthejnë këto zgjedhje. E shkuara vërtet nuk e pati këtë fat për ne, por e ardhmja është ende në duart tona për ta bërë të shkojë në një drejtim a në një tjetër.
“Historia është makthi nga i cili përpiqem të zgjohem”, thotë Stephen Dedalus në “Uliksin” e Xhojsit. Po ç’fuqi njerëzore vallë mund t’i shmanget trysnisë së kohës. Pronarë dhe politikanë, priftërinj dhe artistë e dinë mirë se sa tiranike mund të jetë e shkuara dhe sa e paqëndrueshme e ardhmja. Për ta themeluar mbi baza të sigurta duhet moderim dhe praktikueshmëri; pra duhet të mbështetemi në dy kategoritë qendrore aristoteliane: në masën (metron) dhe në mjetin e drejtë (mesotes), për të pasur si busull parimin: “Masa është gjëja më e mirë”.
Nëse i shohim nën këtë prizëm pragzgjedhjet e shpeshta të gjithë këtyre viteve, mund të themi se janë karakterizuar nga një mënyrë e “pashije” e të bërit politikë, në një kohë kur shoqëria mbetet e mbushur plot me afsh dhe padurim. Për shpresë flitet shumë pak; nuk dëgjohet kurrë një politikan të flasë për të ardhmen e për projekte afatgjatë e me frymëmarrje të gjerë që t’i kalojë periudhat e një legjislature, sepse ato mungojnë nga fjalori i politikës sonë. Kur përkundrazi është momenti i duhur, koha e rigjetur, për të kryer zgjedhje të larta, kurajoze, edhe pse ky nuk duket të jetë shpirti i vërtetë i kohës. Rrojmë në një epokë që e ka humbur plotësisht interesin për të marrë kohë e për të menduar të ardhmen, duke e varfëruar kështu raportin me vetë kohën. Mirëpo të shpresosh do të thotë pikërisht “t’i japësh formë kohës”. Në këtë kuptim, të denoncosh shpirtin e epokës është gjë e mirë, pothuajse gjithmonë. Është shenja dalluese e një “homus novus”. Veçse epoka ku rrojmë nuk është vetëm e pasioneve të trishta, por edhe narciziste. Ja pse një denoncim i tillë, i kryer si një mjet i drejtë, por jo në masën e duhur, ngjan lehtësisht me një mënyrë narciziste të së jetuarit dhe të komentuarit të politikës, e cila gjykohet gjithmonë paksa e ulët dhe e mërzitshme nëse nuk kryhet nga politikanët. Ja pse provon vështirësi arsyeja të kombinohet me shpresën, për të gjetur kështu masën e drejtë, për të cilën kanë nevojë të gjitha gjërat e për të shmangur kështu mëkatin e kapadaillëkut dhe kryeneçësisë në politikë. Politikanët e mbrojnë shpesh veten duke u fshehur pas kompleksitetit të detyrës që kanë, pas mundimeve për ta përmbushur atë. Ndërkohë që kompleksiteti është vetëm një rrugë shpëtimi prej tyre. Është një tundim i tmerrshëm nga i cili lipset të çlirohemi urgjentisht. Ai që thotë që “gjithçka është shumë e komplikuar” është mëse i dorëzuar dhe kërkon të justifikohet. E kjo se thjeshtësia është rruga e vetme, pasi gjithçka sillet rreth një gjëje të thjeshtë: në një komunitet të organizuar nevojitet gjithmonë dinjiteti i ushtrimit të qeverisjes, i mbajtjes fort të timonit dhe në kohët më të stuhishme. Dinjitet jo i një qeverie të vogël (nënkupto e djathtë) apo të madhe (nënkupto e majtë), por një qeverie që funksionon. Në këtë kohë të rigjetur nga kjo pragfushate, kemi nevojë për rikthimin e këtij dinjiteti nën formën e një kapaciteti të rinovuar për rrugëtimin drejt të ardhmes, nën formën e një raporti më pak nevrotik me kohën, nën formën e zgjedhjeve të larta, kurajoze, rezultatet e të cilave mund të shihen edhe pas 8 apo 10 vjetësh, nën formën e masave të forta që të stabilizojmë madhështinë e ligjit dhe vetë idenë e kësaj madhështie. Në këtë pragzgjedhje, elektorati është i paralajmëruar, por është politika ajo që duhet të bëjë hapin e parë. E jo duke filluar gjatë fushatës, apo gjatë legjislaturës së re, por duke filluar nga nesër. Madje që sot, që tani.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›