E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skocia shpallet kampione e botes ne Boterorin per te pastrehet

Ka kaq shumë ide të mrekullueshme kjo botë dhe njëra prej tyre është që futbolli të luhet edhe për të kujtuar botën se ekzistojnë me miliona të pastrehë. Një ide e tillë është materializuar dhe nën hijen e njërit prej simboleve të Parisit, Kullës Ejfel, u zhvillua edhe finalja e kupës së botës për të pastrehët. Në fushë dolën Skocia e Meksika, dy skuadrat më të mira, që pritën ekzekutimin e himneve dhe pastaj nën duartrokitjet e spektatorëve nisën ndeshjen finale.

Ndërsa ndeshja luhet, vëren se për ta ndjekur atë ndodhen edhe dy ish-kampionë të botës, francezët Emanuel Peti dhe Liliam Turan, si dhe themeluesi i kësaj veprimtarie, Mel Jang.

Pas një lufte të fortë sportive, skocezët fituan 4-3 dhe i takoi pikërisht skuadrës britanike që të pozonte me trofeun e kësaj kupe të veçantë të botës. Ja si shprehet njëri nga kampionët e rinj, Robert Her

“Emocionuese, shumë emocionuese. Kjo i jep kuptim të qenit i pastrehë. Ishte një përvojë absolutisht fantastike për mua dhe për djemtë. Ata kanë punuar shumë dhe mendoj se meritojnë gjithçka që kanë arritur. Kjo atmosferë, i gjithë ky festival ka qenë diçka e pabesueshme”.

Më pas një paradë skoceze me trofeun në duar, por edhe mjaft humor, pasi humori mund të jetë edhe skocez, jo vetëm anglez. Një gazetar pyet njërin prej kampionëve të rinj të botës: Si duket kur je në çatinë e botës. Dhe përgjigja: Bota duket shumë e vogël.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›