Vrau dy persona në Durrës, ekstradohet nga Amerika i dënuari
DURRES – Vrau dy persona në vitin 1997 në Durrës, arrestohet pas 15 vitesh në Texas 38-vjeçari nga Shijaku. Federalët e Texasit arrestuan disa ditë më parë për llogari të shtetit shqiptar, 38-vjeçarin nga Shijaku Ardian Domi, ndërsa dje u bë edhe ekstradimi i tij nga Amerika drejt Shqipërisë, vend ku dhe do të vuajë dënimin për krimin e dyfishtë. Policia e Durrësit sqaroi se 38-vjeçari ka vrarë në vitin 1997 dy punëtorë të një servisi makinash, Aleksandër Suxho dhe Besnik Kollcaku. Ngjarja e rëndë ndodhi 15 vjet më parë në lagjen Nr.8 të qytetit, pranë spitalit të Durrësit, ku pas një konflikti të çastit Domi ka nxjerrë armën tip automatik që e ka pasur me vete në mjetin e tij tip Benz dhe ka qëlluar në drejtim të mekanikëve, duke i lënë të vdekur në vend. Besnik Kollçaku dhe Aleksandër Suxho punonin si motoristë në servis, ndërsa Ardian Domi kishte shkuar për të rregulluar një defekt në mjetin e tij. Mësohet se fillimisht palët kanë debatuar me njëra-tjetrën për radhën. Ardian Domi u ka kërkuar mekanikëve të servisit që të linin të gjitha punët që kishin në dorë dhe të rregullonin defektin e mjetit të tij, që mësohet se ka qenë rripi i motorit. Por, ndërkohë që motoristi dhe ndihmësi i tij nuk i janë bindur 38-vjeçarit, asokohe 22 vjeç, ky i fundit ka qëlluar në drejtim të tyre duke i vrarë në vend. Domi është larguar nga vendi, duke përfituar dhe nga situata e nderë e shtetit në atë kohë. Në mungesë, Gjykata e Durrësit e dënoi atë me 16 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale të vrasjes me dashje. Policia tha se për tiu shmangur dënimit, 38-vjeçari ka ndërruar të dhënat e tij personale, nga Ardian Domi në Alfred Kurti. Zbulimi i tij erdhi pas një vjedhjeje të ndodhur në zonën ku banonte Domi. Pas shoqërimit nga policia, shenjat e gishtërinjve zbuluan se bëhej fjalë për të kërkuarin shqiptar. l.m