Humb Prishtina, Drita lider

Feriz Bajraktari e goditi tërthorësen në fillim të ndeshjes, ndërsa Begolli i mysafirëve ka lëshuar dy raste. Vendësit kaluan në epërsi në minutën e 38-të me anë të Taulant Dajakut, i cili mori një top nga Valon Bajrami.
Në pjesën e dytë, Faton Zejnullahu i udhëtuesve e ka lëshuar një rast të mirë. Më pas, është tensionuar loja, me ç’rast, gjyqtari Hajriz Hajdari ndëshkoi me karton të kuq trajnerin prishtinas, Ramiz Krasniqi dhe kapitenin Azem Ahmeti, pas dy të verdhëve.
Drita – KEK-u 2:0
Drita e ka konfirmuar formën e shkëlqyeshme të këtij sezoni, duke e mposhtur KEK-un. Kjo fitore ia mundësoi ekipit gjilanas që ta marrë primatin në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, duke përfituar edhe nga dështimi i Prishtinës në Drenicë. Besim Isufi e ka kaluar Dritën në epërsi në minutën e 24-t, ndërsa Florent Osmani i dha vulë këtij takimi me të filluar pjesa e dytë. Gjilanasit i pret një sfidë e vështirë fundjavën tjetër, kur do ta vizitojnë Prishtinën.
Vëllaznimi – Gjilani 1:0
Vëllaznimi ka shënuar fitore minimale, por mjaft të vlefshme ndaj Gjilanit, pas humbjes në Pejë nga Besa. Gjakovarët kanë dominuar ndaj kundërshtarit në pjesën e parë, kurse mundi i tyre është shpërblyer me të filluar gjysmëloja e dytë, kur Agron Skeraj e shënoi golin e fitores. Mysafirët kanë pasur raste në fund të ndeshjes me anë të Sylajt, por Papuçi ka shpëtuar gol të sigurt. Me këtë fitore, Kuqezinjtë e ruajnë pozitën e tretë.
Hysi – Besa 1:1
Ka vazhduar kriza e Hysit. Kampioni aktual i Kosovës nuk ka arritur më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Besës. Skuadra nga Merdari ka kaluar në epërsi në minutën e 13-të, përmes Kastriot Rexhës, i cili përfitoi nga një gabim i Elvis Gacaferit. Rexha e ka pasur edhe një rast, kur e goditi shtyllën, pasi mori një top nga Zhdrella. Ndërsa, shifrat i barazoi Egzon Gashi, në fund të pjesës së parë, pas një gabimi të mbrojtjes vendëse.
Lepenci – Trepça 2:1
Lepenci e ka shijuar fitoren e parë të sezonit në shtëpi, pasi e mposhti Trepçën. Për fitoren e kaçanikasve, të udhëhequr nga Arsim Abazi, janë përkujdesur Xhevdet Shabani (17’) e Florim Berisha (46’), ndërsa goli i Elvis Osmanit (60’) ishte i pamjaftueshëm për skuadrën mitrovicase.
Trepça ’89 – Liria 2:2
Liria e ka nxjerrë një pikë të çmuar në Mitrovicë, ku barazoi me Trepçën ’89. Madje, prizrenasit kanë kaluar në epërsi të parët në minutën e 26-të, me anë të Alban Gucit. Kurse, Emin Baliqi i barazoi shifrat katër minuta pa përfunduar pjesa e parë. ‘Xehetarët’ i kaloi në avantazh Florent Sejdiu, me të filluar pjesa e dytë.
Vendësit kanë mundur ta shtonin avantazhin në vazhdim, por Shpëtim Idrizi ka gjuajtur jashtë, nga 11-metërshi. Atë që nuk e bëri Idrizi, e ka bërë kapiteni prizrenas, Rafet Mullallari, i cili me kokë e barazoi rezultatin në minutën e 31-të të pjesës së dytë.
Tabela
1. Drita - 22
2. Prishtina - 20
3. Vëllaznimi - 19
4. Trepça ’89 - 16
5. Trepça - 14
6. Drenica - 13
7. Lepenci - 13
8. Hysi - 12
9. Besa - 11
10. KEK-u - 10
11. Gjilani - 7
12. Liria - 7