Skuadra USF1, më në fund i thotë lamtumirë Botërorit
Skuadra e re USF1 i ka thënë lamtumirë Botërorit 2010 të Formula 1 dhe ka lënë të hapur portat për një rikthimit të mundshëm në sezonin e 2011-s. Skuderia amerikane ka pezulluar punët për zhvillimin e makinës, e cila do të duhej të zbriste më 14 mars në pistën e Bahrainit dhe i ka kërkuar FIA-s të “ngrijë” regjistrimin e saj si pjesëmarrëse në Botëror. “Tani po presim një përgjigje nga federata, kanë bërë të ditur drejtuesit e USF1, sikurse është publikuar dje nga revista e specializuar 'Autosport'. Për të punësuarit tanë, për momentin, nuk mund të bëjmë asgjë. Për sa kohë që nuk do të ketë një vendim përfundimtar, punët në lidhje me makinën janë ndërprerë”. Pra, del jashtë skenës një nga katër skuadrat e reja, që do të duhej të merrnin pjesë në Botërorin e ardhshëm. Mbeten në garë Virgin, Lotus e ish-Campos, e cila siç kanë lajmëruar dje, do garojë me emrin e ri Hispania Racing F1 pas blerjes së skuadrës nga ana e Zhoze Ramon Barabante. HRT-ja duhet të konfirmojë Burno Senën dhe Karun çandhok si pilotë zyrtarë.
#