Interi i ri, objektivat janë Xherard dhe Ranokia
Zhoze Murinjo i ka të qarta strategjitë e merkatos, nëse do të vazhdojë punën tek Interi edhe në sezonet në vazhdim. Trajneri luzitan kërkon afrimin e një mesfushori me emër, i cili do të jetë në gjendje të rrisë kualitetin në skuadër dhe një ose dy mbrojtës të perspektivës. Këto kërkesa do t’ia paraqesë presidentit Masimo Morati sapo palët të ulen për të diskutuar rinovimin e kontratës së drejtuesit të stolit zikaltër. Mou ka evidentuar repartet që duhet të përforcohen dhe klubi ka ndërmend që të fillojë përpara kohe negociatat me elementët e kërkuar. Deri më tani, Interi ka siguruar dy përforcime për edicionin e ardhshëm: bëhet fjalë për portierin Luka Kastelaci, i cili do të afrohet me parametër zero nga Sampdoria dhe për Felipe Koutinjo, fantazistin e Vasko da Gamas, që do të paraqitet në qendrën stërvitore të Pinetinas gjatë verës, pasi të ketë mbushur 18 vjeç.
Megjithatë, afrimi i një lojtari cilësor në mesin e fushës duket i domosdoshëm. Kjo për faktin se Zaneti do të festojë ditëlindjen e 37-të, Muntari është një lojtar që ofron sasi, por pak kualitet, ndërsa Mota nuk ka shkëlqyer ashtu si te Xhenoa. Në krye të listës së dëshirave të Murinjos ndodhet Stiven Xherard, ylli i Liverpulit, i cili nuk ka dashur asnjëherë të largohet nga qyteti i lindjes. Gjithsesi, ai pritet të ndryshojë mendje nëse “Reds” nuk do të arrijnë të sigurojnë një vend në edicionin e ardhshëm të Champions League. Interi ka përgatitur terrenin dhe qëndron në pritje të zhvillimeve, edhe pse italianët e kanë të qartë që afrimi i kapitenit të Liverpulit nuk do të jetë i lehtë. Vështirësia kryesore nuk përbëhet nga aspekti ekonomik i negociatave, por nga rivaliteti i fortë për shërbimet e mesfushorit anglez, i cili ndiqet edhe nga Reali i Madridit e Mançester Siti. Së fundmi është folur edhe se zikaltrit interesohen për Musa Sisoko të Tuluzës dhe për Kacar të Hertës së Berlinit, ndërsa mediat angleze pretendojnë se në derën e Murinjos mund të trokasë edhe Deko, që te çelsi nuk po gjen shumë hapësira. Për sa i takon mbrojtjes, preferenca kryesore mbetet Zherom Boateng i Hamburgut, por për 21-vjeçarin, i cili kushton të paktën 12 milionë euro, interesohen edhe Bajerni i Mynihut dhe Mançester Siti. Më i thjeshtë duket afrimi i Andrea Ranokias, mbrojtësit të Barit, i cili zotërohet nga Xhenoa. Kartoni i lojtarit vlerësohet rreth 15 milionë euro, por përfshirja në marrëveshje e disa të rinjve zikaltër mund ta ulë ndjeshëm çmimin.
Ndërkohë, projekti më i rëndësishëm i klubit të drejtuar nga Masimo Morati është mbajtja e trajnerit Murinjo. Presidenti zikaltër duket se nuk është i qetë me kontratën deri në vitin 2012 të portugezit (me klauzolë prishjeje nga të dyja palët) dhe kërkon që marrëveshja të zgjatet të paktën deri në vitin 2013. Rinovimi do të bëjë që rroga e “Speciali”-t të shkojë nga 11 milionë euro, në 12-13 milionë, duke shtuar këtu shpërblimet për rezultatet e arritura.
#