E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadrat shqiptare do te kene short te pranueshem ne kupat e Europes

Nuk ndodhi gjëma e madhe dhe skuadrat shqiptare do të kenë short krejt të pranueshëm në kupat e Europës. Që të gjitha me kundërshtarë ose ballkanas, ose modestë mesdhetarë.

Vllaznia e Shkodrës ka çiftimin më të përshtatshëm nga të gjithë, ndaj Birkirkarasë malteze, përballje ku shkodranët janë favoritë.

Flamurtari pati më pak shans, por gjithsesi mund të pretendojë ndaj nënkampiones së Malit të Zi, Buduçnostit të Podgoricës, ndërsa të dyja përfaqësueset shqiptare do ta kenë në shtëpi ndeshjen e kthimit të turit të parë eleminator.

Tirana luan në turin e dytë eleminator dhe përballë do të ketë fituesen e çiftit të turit të parë mes sllovakëve të Spartakut të Trnavës dhe malazezëve të Zetës. Skuadra sllovake është favorite për të kaluar më tej.

Po në këtë tur, nëse kalon, Vllaznia do të ndeshet me skuadrën zvicerane, Tun, ndërsa Flamurtari, gjithnjë në rast suksesi, do të gjejë në rrugën e tij skuadrën çeke, Jablonec.

Duke analizuar kundërshtarët, ai I Vllaznisë, Birkirkara, është ndeshur më 2004 me një tjetër skuadër shqiptare, Partizanin, dhe është eleminuar pas rezultateve 2-4 e 2-1, ndërsa ka kaluar vetëm një herë një tur, më 2001-2002 në Kupën UEFA ndaj Lokomotivës së Tbilisit. Birkirkara është 3 herë kampione e Maltës.

Buduçnost është skuadra më e njohur e Malit të Zi, pjesëmarrëse e rregullt e kampionatit të ish-Jugosllavisë, ndonëse në kampionatin malazez ka dalë vetëm një herë kampion, më 20008, duke qenë plot 4 herë nënkampion.

Në kupat e Europës ka nisur të luajë vonë, më 2007 pa arritur rezultate shumë të rëndësishme. Në Kupën Ballkanike është ndeshur dy herë me skuadra shqiptare, më 1976 me Vllazninë, me rezultatet 2-0 e 1-1 dhe më 1990 me Tiranën, me rezultatet 0-0 e 2-1.

Tirana mbetet skuadra shqiptare me më shumë sukses në arenën ndërkombëtare. Bardheblutë e kanë kapërcyer plot 9 herë pengesën e parë në kupat e Europës duke nisur që nga sezoni 1982-1983 kur eleminuan kampionen e Irlandës së Veriut, Linfild dhe për ta mbyllur në korrik të vitit 2006, me kalimin e Varteksit kroat në turin e parë të Kupës UEFA.

Forcën e 24 herë kampionëve të Shqipërisë e kanë provuar edhe Dinamo e Bukureshtit, skuadrat malteze Hamrun Spartans e Sliema Uonderers, bjellorusët e Fandokut dhe të Gomelit, gjeorgjanët e shquar të Dinamos së Tbilisit dhe sllovenët e Nova Goricës.

Gjithsesi, Tirana e sotme është shumë larg atyre kohëve, edhe pse për standardet normale në Europë nuk mund të quhen të shkëlqyera. Të paktën atëherë ishim më seriozë, më dinjitozë, ndërsa sot duket sikur na kanë nxjerrë nga llogaria.

Vllaznia është një skuadër që ka luajtur 36 ndeshje në kupat e Europës, një traditë e nisur që nga viti 1978, kur u përball me Austrinë e Vjenës në kupën e kampionëve. Shkodranët kanë kaluar turin e parë më 1987 ndaj Sliemës malteze, më 2001 ndaj Rejkjavikut, më 2008 ndaj Koperit slloven, por edhe në 2009 ndaj Sligo Roversit të Irlandës.

Flamurtari mbetet ende rekordmeni shqiptar I eurpokupave lidhur me numrin e tureve të kaluara në një sezon. Kjo ndodhi më 1987 kur vlonjatët kapërcyen Partizanin e Beogradit në turin e parë të Kupës UEFA dhe pastaj edhe Vizmut të Aues, skuadrën gjermanolindore në turin e dytë. Në të tretin u përballën me Barcelonën e madhe dhe u eleminuan ndonëse fituan 1-0 në Vlorë. Në “Kamp Nou” kishin humbur 1-4.

Që nga ajo kohë nuk ka arritur të thotë shumë, ndonëse më 1991 ishte shumë afër kualifikimit në Kupën e kampionëve ndaj Goteborgut, me barazimet 0-0 e 1-1. Flamurtari ka luajtur gjithsej 20 ndeshje në Europë.

Ndeshjet e turit të parë të Ligës së Europës do të luhen më 30 qershor dhe ndeshjet e kthimit në 7 korrik, ndërsa turi I dytë do të luhet në datat 14 e 21 korrik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›