E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skualifikohet skuadra e zemrës, humbet dhe shtëpinë

Kukës 40-vjeçari kishte vënë bast hipotekën e shtëpisë

Humbja e skuadrës së Gjermanisë i ka kushtuar shtrenjtë një tifozi kuksian. 40-vjeçari ka vënë shtëpinë peng për fitoren e gjermanëve dhe ka humbur gjithë pasurinë, duke lënë në qiell të hapur familjen që përbëhet nga pesë anëtarë. Gjatë muajit të kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010, ai kishte vënë disa herë baste. Por në tentativë për “t’i shpëtuar” mjerimit, humb gjithçka. “Ka marrë 8 mijë euro borxh për t’i vënë në gjysmëfinalen e së mërkurës për skuadrën gjermane dhe për këtë borxh kishte lënë peng hipotekën e shtëpisë, e cila vlen shumë më tepër se kaq”, tregon për “Shqip” një kushëri i “viktimës” së bastit. I njëjti burim pohon se 40-vjeçari nuk është kthyer ende në familje, por një shoku i tij ka njoftuar se është shëndosh e mirë, por në gjendje të rëndë shpirtërore. Dëshpërimi ka pushtuar edhe familjen, e cila do të duhet të përballet me rrezikun e humbjes së strehës përgjithnjë, për shkak të një borxhi të vënë në bixhoz për futbollin. Ndërkaq, 40-vjeçari nuk ka qenë i vetmi që ka humbur mbrëmjen e së mërkurës. Qindra kuksianë kanë lënë me mijëra euro pas humbjes së skuadrës së Gjermanisë. “Vetëm në lokalin tim kanë humbur me nga 1000 euro më shumë se 10 persona, por ka pasur që kanë humbur deri në 5 mijë euro”, tregon një nga menaxherët e një pike bastesh sportive.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›