Grinden për një vajzë, saçme mbi 18- vjeçarin
Një sherr banal i nisur mbrëmjen e maturës për një vajzë, për pak i ka marrë jetën një 18-vjeçari nga Peqini. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së mërkurës, në fshatin çengelaj, rreth 10 kilometra larg qytetit të Peqinit ku një 17-vjeçar ka qëlluar me armë gjahu një bashkëfshatar. Sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, bëhet e ditur se kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë lajmëruar sallën operative të policisë së Elbasanit për një ngjarjen. Burimi në fjalë sqaron se 17-vjeçari me inicialet A.B. ka qëlluar me çifte 18-vjeçarin I.D, banues në lagjen “çezmë” të qytetit të Peqinit. Pas kësaj ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në spitalin kirurgjikal të Elbasanit, ku i është dhënë ndihma e parë. Gjendja e tij shëndetësore ka qenë e rëndë dhe mjekët kanë vendosur transportimin e tij për në spitalin ushtarak të Tiranës, për trajtim më të specializuar. Ndërsa policia ka këqyrur vendin e ngjarjes, duke gjetur edhe dy gëzhoja të armës së krimit, ka nisur kërkimet për identifikimin dhe gjetjen e autorit. Brenda pak orëve, blutë kanë mundur të ndalojnë 17-vjeçarin A.B. i cili dyshohet të jetë autor i plagosjes me armë të adoleshentit. Ai është kapur në të hyrë të fshatit. Ndërsa policia e klasifikon ngjarjen për motive të dobëta, mësohet se grindja mes dy të rinjve kishte nisur dy ditë më parë gjatë një mbrëmje maturantësh në Peqin për shkak të xhelozisë për një vajzë. Materialet për këtë ngjarje i kanë kaluar për ndjekje prokurorisë së rrethit gjyqësor të Elbasanit dhe 17-vjeçari do të hetohet për veprat penale: “Mbajtje e armëve pa leje” dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”. Ndërkohë dje, në mesditë gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 34-vjeçarin Adriatik Mënalla, i cili tre ditë më parë qëlloi për vdekje me një thikë 24-vjeçarin Vladimir Mema.
#