E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbet Gjermania, terror me armë në qytet

Berat Njëri prej të ndaluarve sapo kishte dalë me leje nga Burgu i Peqinit

Largohet nga kampionati botëror skuadra e zemrës, të dehur qëllojnë në ajër me armë dhe kanosin pronarin e lokalit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen vonë të së mërkurës, pak minuta pas përfundimit të ndeshjes Gjermani-Spanjë, kur dy të rinj nga Berati kanë qëlluar me armë zjarri në ajër duke terrorizuar klientët e lokaleve, ndërsa më pas i kanë drejtuar armën pronarit të një bari. Njëri prej të rinjve kishte dalë me leje nga Burgu i Peqinit, ku vuan dënimin për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi rreth orës 23.00 në lagjen “çlirim”, kur Gaxha Ismaili, 24 vjeç dhe Artan Tare, 34 vjeç, i cili është duke vuajtur dënimin në Burgun e Peqinit, kanë terrorizuar dhe kanosur me armë zjarri pronarin e një lokali. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se dy djemtë, pas përfundimit të ndeshjes, kanë qëlluar disa herë në ajër me një armë automatike model 56. Ka qenë 24-vjeçari Ismaili, ai që ka pasur armën dhe e ka shkrehur disa herë, ndërsa është shoqëruar nga shoku i tij, Tare. Klientët që ndiqnin komentet e pas ndeshjes janë terrorizuar, ndërsa dy djemtë janë drejtuar më pas në një lokal të hapur dhe i kanë drejtuar armën pronarit me inicialet K. B. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, në momentin që Ismaili i ka drejtuar armën pronarit, kanë qenë klientët e tjerë që kanë reaguar menjëherë, duke e paralizuar atë dhe i kanë hequr nga duart armën. E menjëhershme ka qenë ndërhyrja e ekspertëve të Policisë së Beratit, të cilët kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para është mësuar se dy të rinjtë ishin të armatosur me një armë automatike model 56, si dhe dy krehra me 59 fishekë. Uniformat blu kanë bërë menjëherë ndalimin e dy të rinjve, të cilët janë marrë në pyetje rreth ngjarjes. Nga deklarimet e para ata kanë pohuar se kanë qenë në gjendje të dehur në momentin që kanë tentuar të qëllojnë ndaj pronarit të barit, pasi ky i fundit u kishte kërkuar të mos qëllonin në ajër, pasi rrezikohej jeta e klientëve. Uniformat blu kanë bllokuar në cilësinë e provës materiale një armë automatike model 56 të kalibrit 7.62 mm, si dhe krehra me 59 fishekë. Sipas burimeve të policisë, të dy të ndaluarit do të përballen me veprat penale: “vrasje me dashje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, si dhe “armëmbajtje pa leje”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›