Mungon avokati, shtyhet sërish gjyqi i Pishtarit
Apeli i Vlorës shtyn sërish seancën në ngarkim të Luan Fushës, “të fortit” të Divjakës, i cili akuzohet për vrasjen e disa personave në qytetin e tij të lindjes. Shkak i shtyrjes është bërë sërish mungesa e avokatit të tij mbrojtës. Seanca e djeshme ishte parashikuar të ishte e fundit, por pala mbrojtëse nuk është paraqitur në sallën e gjyqit, madje nuk ka paraqitur asnjë justifikim pranë sekretarisë së Gjykatës së Apelit. Mbas çeljes së seancës, prokurori i çështjes ka kërkuar shtyrje të saj dhe ti dërgohet një relacion Dhomës së avokatëve, për marrjen e masës ndaj avokatit të Fushës. Kjo është hera e 13-të që gjykata e Apelit Vlorës shtyn seancat e kësaj çështjeje, duke ngjallur tension mes familjarëve të viktimave. Prej një viti gjykata e Apelit të Vlorës ka nisur rishqyrtimin e çështjes në ngarkim të Luan Fushës, i njohur si kreu i “Bandës së Divjakës”, i cili akuzohet se gjatë viteve 1996-1998 ka kryer një sërë vrasjesh, plagosje, etj. Fusha është dënuar me 23 vjet burg nga gjykata e Lushnjës, ndërkohë që vendimi është apeluar, pasi familjarët e viktimave kërkojnë dënim të përjetshëm për të.
#