E Diel, 1 Nëntor 2026

Skulptura pa profil arti figurativ shqiptar ne krize

Arti shqiptar i skulpturës dhe qeramikës nuk ka ende një profil të qartë, apo karakteristikë që mund të veçohet. Skulptorët shqiptarë krijojnë në studiot e tyre kryesisht atë që lind nga idetë individuale, paisi tregu ka mangësi të shumta. Genc Mulliqi një nga skulptorët me emër thotë se prirjet e momentit janë të gjithëllojshme, nga tradicionalja tek bashkëkohorja. E njëjta gjë ndodh edhe me brezin e ri të skulptorëve që diplomohen.

“Kemi një kombinim të të dyjave sepse faktikisht nuk është se ka ndonjë treg të bollshëm të skulpturës dhe me aq sa kemi mundësi, sepse siç e përmenda më lart skulptura është e vështirë sa i takon komunikimit me njerëzit sepse kërkon hapësirë, kërkon më shumë hapësirë dhe vend sesa një punë dy dimensionale siç është piktura apo grafika. Mesa di unë një pjesë e mirë e skulptorëve që janë aktivë kanë edhe porosi. Për fat të keq këto vitet e fundit kemi vënë re që ka shumë pak ekspozita kombëtare siç janë psh. Onufri, pothuajse është zhdukur plotësisht, por në përgjithësi arti tre dimensional”-thotë Mulliqi.

E njëjta situatë është me artin e qeramikës, por artistët relativisht të rinj që aplikojnë këtë art, karahas mungesës së tregut vuajnë edhe mungesën e komunikimin me këtë lloj arti që zhvillohet sot në botë.
“Është si në hije. Nuk e di, ndoshta njerëzit nuk e kuptojnë. Mundësi apo ku ta di unë. Është shumë shpejt për të folur për një tendencë”-thotë Zabit Çoka, student i qeramikës.

“Përsa i përket anës ekonomike, eksperimentale dhe materialeve të ndryshme kjo është pak më e nënvlerësuar në Shqipëri se sa në vende të tjera të botës”-shprehet Zharjon Gjeçka, një tjetër student i qeramikës.

Ndryshe nga piktura, skulptura dhe qeramika mbetët arti më tepër në hije fushën e artit figurativ në përgjithësi. Mungesa e hapsirave të ekspozimit, komunikimit me botën dhe tregut specifik, bën që ky art të mbetet i izoluar.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›