E Diel, 1 Nëntor 2026

Te ndryshohet kodi Gjata Ankimimet po zgjasin pa fund

Beteja ligjore për drejtimin e Tiranës mes demokratëve dhe socialistëve rrezikon të zgjas pa fund. Gara Basha-Rama është paralelizuar me duelin presidencial të SHBA-së Bush - Al Gore për nga rezultati i ngushtë.

Ajo që ndan këto dy raste nga njëra-tjetra është afati ligjor. Gjykatave shqiptare ndryshe nga SHBA u mungon afati i fundit për të përfunduar një çështje e cila çon procesin final drejt shtyrjeve të vazhdueshme.

Ish-kreu i KQZ-së, Çlirim Gjata thotë për “AS” se procesi ankimor duhet reformuar pasi është zvarritës dhe kjo gjë duhet bërë në reformën e ardhshme elektorale.

“Kam diskutuar që në vitin 2008 kur u bë ligji kur ishte reforma zgjedhore që thashë: “Duhet reformuar procesi ankimor. Është zvarritës. U jep mundësinë palëve që të bëjnë kalkulime ankimore nga më të ndryshmet, deri në abuzim. Kjo duhet shqyrtuar në reformën e ardhshme zgjedhore. Duhet marrë patjetër në dorë procesi post zgjedhor ose procesi ankimor”-tha Gjata.

Kolegji Zgjedhor ka vetëm tri mundësi ligjore për  të shqyrtuar ankimimin e fundit të socialistëve ditën e enjte. Çlirim Gjata ka treguar tri rastet sesi mund të operojë Kolegji.

“Hapësirat ligjore që mendoj se ka: së pari, të bashkojë çështjet, një hapësirë apo do të thoja një detyrim ligjor. E dyta që duhet të bëjë Kolegji është që duhet ta shqyrtojë është në afat ose jo çështja. Kjo është e detyrueshme. Pastaj të merremi me themelin. Dhe së treti, ajo që i është ndaluar Kolegjit është se nuk mund ta kthejë më cështjen në KQZ. Këtu mendoj se PS ka gabuar që ka kërkuar heqjen dorë nga gjykimi në themel dhe detyrimin t’ia kthejë KQZ-së ta shqyrtojë”-theksoi ai.

Gjithsesi ditën e enjte do të jetë kolegji ai që do të vendosë nëse gara Basha-Rama do të mbyllet shumë shpejt apo beteja do të vazhdojë.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›